Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Gomerët e trojeve” rikthejnë Gent Bejkon me komedinë e zezë që “zhvesh” plagët shqiptare

schedule13:20 - 25 Maj, 2026

schedule 13:20 - 25 Maj, 2026

Në një kohë kur realiteti shqiptar shpesh duket më absurd se vetë skena, aktori, autori dhe regjisori Gent Bejko rikthehet në Shqipëri me një vepër provokuese që premton jo vetëm të bëjë publikun të qeshë, por edhe ta trazojë në mendime. Komedia e zezë “Gomerët e Trojeve” ngjitet më 26 dhe 27 maj në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, duke sjellë një ndërthurje të pazakontë mes mitologjisë së Homerit dhe realitetit shqiptar të ditëve tona.

E frymëzuar nga “Iliada”, por e sjellë me një gjuhë moderne, ironike dhe therëse, pjesa përdor humorin si armë për të goditur fenomenet sociale, politike dhe kulturore që vazhdojnë të mbajnë peng shoqërinë shqiptare.

Sipas Bejkos, justifikimi i rrëmbimit të gruas – motiv klasik homerik – shndërrohet në një metaforë të fuqishme për plagët që vetë shoqëria ia shkakton trojeve të saj. Një vend ku, siç sugjeron vepra, gjithçka duket e mallkuar, përveç “dritëshkurtërve të pangopur” që kanë lënë pas terr dhe zhgënjim historik.



“Pa njohur të kaluarën me të mirat dhe të metat e saj, nuk mund të kemi një të ardhme të shëndetshme,” është një ndër mesazhet qendrore të shfaqjes, e cila ndërton situata absurde, por njëkohësisht tronditshëm reale për publikun shqiptar.

Me ritëm dinamik, satirë të mprehtë dhe personazhe të frymëzuara nga përditshmëria, “Gomerët e Trojeve” synon të sjellë atë që sipas Bejkos i mungon shpesh publikut shqiptar: humor inteligjent që argëton, por edhe detyron të reflektosh.

“Humori është mënyra më e fortë për të thënë të vërteta që ndonjëherë njerëzit i pranojnë më lehtë duke qeshur,” shprehet Bejko.

I njohur për qasjen e tij të guximshme regjisoriale dhe reinterpretimin kritik të miteve klasike, Gent Bejko e sjell këtë herë Trojën jo si një histori të largët, por si një pasqyrë ku shqiptarët mund të shohin veten, me plagët, kontradiktat dhe absurditetin e kohës që jetojnë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!