Basketbolli amerikan pati duelin e tij më të madh të sezonit. Golden Stejti sfidoi Klivlendin dhe Kevin Duranti fitoi duelin me Lebron Xhejmsin.
Kanë luajtur së bashku tri finalet e fundit të NBA-së.
Vetëm ky fakt mjaftonte për të treguar sesa e madhe ishte sfida në Arenën e Klivlendit, ku Kavaliersët e Lebron Xhejmsit pritën Golden Stejtin, kampion të Kevin Durantit e Stefën Kërrit.
Ashtu siç ishin parashikimet, fituan miqtë, të cilët duken të vetmit nga dyja skuadrat, në gjendje të arrijnë përsëri në finalen e madhe në Qershor.
Triumfi ishte 118-108, në një duel sidomos mes dy talenteve më të mëdhenj aktualë të basketbollit amerikan, Lebron Xhejms e Kevin Durant.
Ylli i vizitorëve mund të quhet fitues, pasi edhe luajti shumë mirë, edhe ia doli të kthehej në shtëpi me suksesin.
Durant shënoi 32 pikë, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 8 pasime për kosh, si dhe vodhi 3 topa e bllokoi një gjuajtje.
Lebron bëri diçka më shumë, po me 32 pikë, me 8 topa në tabela e 6 asistë, por edhe me 3 vjedhje topi e 4 bllokimëe gjuajtjesh.
Sidoqoftë, lojtari i Golden Stejtit u vlerësua më lart, pasi ishte më I saktë në gjuajtjet e tij.
Një duel më vete ishte ai mes dy lojtarëve më të imtë në trup si Stefën Kërri i kampionëve dhe Ajsajah Tomas i Klivlendit.
Edhe ky i fituar nga ylli i miqve, që gjithsesi luajti më shumë minuta sesa ai i vendasve, duke shënuar 23 pikë e duke dhënë 8 pasime për kosh, ndaj 19 pikëve të Tomasit.
Rezultati 118-108 bëri që Golden Stejti të mbetej skuadra më e mirë e NBA-së me 36 fitore e 9 humbje, ndërsa Klivlendi rrezikon edhe vendin e tretë në Konferencën Lindore.
Po ashtu, përballja tregoi se Kavaliersët nënkampionë nuk janë aspak në formë, por deri në Qershor gjithçka mund të ndryshojë.
Jo më kot, ata kanë në përbërje Lebron Xhejmsin./abcnews.al