Golden Stejt po kalon krizë nervash

schedule18:48 - 6 Dhjetor, 2017

schedule 18:48 - 6 Dhjetor, 2017

Kampionia në fuqi e basketbollit amerikan nuk po kalon aspak një vit pozitiv. Golden Stejti është në krizë nervash dhe yjet kryesorë janë përjashtuar shpesh në ndeshjet e fundit.

Renditja nuk është e keqe edhe pse jo, ajo e tri sezoneve të fundit.
Golden Stejt, kampionia në fuqi e NBA-së, ka diçka që nuk i shkon mbarë dhe trajneri Stiv Kerr u detyrua të lëshonte një alarm.

“Po kalojmë çdo masë, – tha ai, – ne nuk jemi aspak të përqëndruar si duhet, dhe po tregohemi shumë emocionalë, një skuadër kampione nuk duhet të sillet kështu”.

Kerr ka të drejtë, pasi Kevin Durant u bë lojtari më i fundit i përjashtuar nga fusha, së bashku me yllin e Nju Orlinsit, Damarkus Kouzins, pasi u përplasën me njëri-tjetrin.
Të dielën, Shon Livingston u përjashtua pasi pati kontakt fizik me gjyqtarin.

Më herët, Durant pati një tjetër përjashtim pas debatit me arbitrin në fitoren ndaj Orlandos.
Në tetor, përjashtim mori Drejmond Grin, një nga basketbollistët më të rëndësishëm dhe më universal të skuadrës.
Më përpara gjatë atij muaji, morën faull teknik edhe Kevin Duranti edhe ylli më i madh i viteve të fundit, Stefën Kërri.
Durant është përjashtuar 3 herë në 18 ndeshje, më shumë sesa i kishte ndodhur në 800 ndeshjet e mëparshme në karrierë.

Nuk kuptohet qartë se përse Golden Stejti është kaq e brishtë nga ana emocionale, por e qartë është se po të vazhdojë kështu mund ta pësojë keq.
Kampionët e dy nga tri edicionet e fundit të basketbollit amerikan, mund të dështojnë në një sezon ku ka shumë pretendentë për titullin edhe pse mbajnë vendin e dytë në Konferencën Perëndimore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!