Goga Basket u shpall kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, për herë të parë në histori. Skuadra e themeluar vetëm 2 vjet më parë, mundi Teutën në finalen e pestë.
Nuk kishte ku të shkonte më shumë se kaq. U desh finalja e pestë dhe e fundit, që të përcaktohej kampionia e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, por ia vlejti.
Një emër i ri u shtua në listën e fituesve, Goga Basket, pasi fitoi më në fund duelin e gjatë ndaj Teutës, në një sfidë plotësisht të Durrësit.
Hera e parë në histori që një klub i ri si Goga merr titullin, hera e parë që finalja për titull ishte tërësisht durrsake.
Sfida e fundit ishte bindshëm e skuadrës që dominoi edhe fazën e rregullt të sezonit, duke mposhtur Teutën me diferencë, 81-60.
Ecuria e finaleve të tjera ishte me Teutën që fitoi ndeshjen e parë, Gogën të dytën e të tretën, dhe Teutën që barazoi 2-2 në mesjavë.
Në dy pjesët e para, loja ishte më e ekuilibruar, dhe në pushim Goga shkoi me epërsi të vetëm tri pikëve, veçse më pas avantazhi u rrit, derisa u fitua me 21 pikë diferencë.
E merituar pra, për djemtë e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi, që nuk lejuan befasinë në sallën e Akademisë, “Dhimitër Goga”.
Kampionët e rinj kanë mjaft të huaj si Rame, Miliç, Gjokoviç, Alen apo Mos, si dhe shqiptarë si Thano, Ndreca apo Elezi
Teuta nuk ia doli, duke humbur për të dytin vit radhazi, vjet e mposhti Tirana, por gjithsesi klubi me emër në basketbollin shqiptar mund të ndihet krenar me dy trofe e sezonit, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën.
Pas ndeshjes, fituesit deklaruan kështu.
“Unë jam kampion, dhe kjo është diçka shumë e bukur. Kampion, pra, çfarë und të them tjetër. Kjo flet vetë, kjo medalje flet vetë. Kur je kampion ti thjesht buzëqesh. Të tjerët le të flasin, për ne flet fakti që dolëm kampionë”. /ABC News Albania 24/7