Emri i Lautaro Martinez lidhet me Barcelonën prej një kohe të gjatë, por sulmuesi argjentinas do të luajë me Real Madrid prej sezonit të ardhshëm. Lajmi i bujshëm raportohet nga Sportmediaset, që zbulon se agjenti i lojtarit të Interit ka arritur akordin me “Los Blancos”.
Zikaltrit janë kujdesur të mbajnë sekret diçka të tillë, pasi nuk duan që Barcelona të acarohet dhe bllokojë kalimin e Arturo Vidal tek ekipi i Antonio Contes. Lautaron e pret një rrogë prej 8 milion eurosh në sezon, më pak se 10 milionët e ofruar nga Barcelona dhe më tepër se 5 milionët që përfiton tek Interi.
Një goditje fantastike e Florentino Perez, që ia del të rrëmbejë objektivin e madh të rivalëve katalanas. Operacioni i kalimit të 22-vjeçarit nën urdhrat e Zidane do të mbyllet për një shifër prej 100 milion eurosh, teksa mendohet të përfshihet edhe Luka Jovic (huazim me të drejtë blerje nga Interi më pas).
#LautaroMartinez, irrompe il #Real Madrid: così l’#Inter finanzia il colpo Kanté. #SportMediaset https://t.co/Gl2t8emVbL
— SportMediaset.it (@Sport_Mediaset) September 14, 2020
Goleadori argjentinas është i sakrifikuari i klubit të Serie A, që do të sigurojë milionat e duhura për të nisur ofensivën finale ndaj Ngolo Kante, dëshirës së madhe për mesin e fushës. Përveç Jovic, drejtuesit e Interit pritet t’i dhurojnë edhe një sulmues tjetër trajnerit Conte, Edin Dzekon e Romës.
Lautaro dëshironte të luante në një ekip me Leo Messin, por problemet në kampin e Barcelonës dhe hezitimi i drejtuesve për të mbyllur përfundimisht këtë tratativë, ka ndikuar që sulmuesi i Interit të pranojë ofertën e Real Madrid. /abcnews.al

