Eksperti Ledion Krisafi tha se raketa e parë iraniane që dyshohet se u drejtua nga Qipro ndryshoi papritur drejtim, një veprim i pazakontë për raketa të teknologjisë së lartë.
Sipas tij, kjo mund të tregojë një çoroditje në drejtimin iranian ose mundësinë që disa gjeneralë iranianë të kenë vepruar në mënyrë të pavarur me sulme ndaj Turqise. Ai shtoi se nëse Turqia përfshihet në konflikt, situata do të përkeqësohej ndjeshëm për Iranin.
Krisafi shtoi se neni 5 i NATO duhet të aktivizohej me goditjen e bazave britanike në Qipro që teknikisht janë territor britanik.
“Raketa e parë iraniane thuhet se u nis drejt Qipros dhe më pas ndryshoi drejtim, gjë që është e dyshimtë, sepse bëhet fjalë për raketa të cilësisë së lartë. Po ndodh një çoroditje në drejtimin iranian dhe mund të ketë gjeneralë iranianë që po veprojnë me kokën e tyre. Kemi presidentin që e mohon këtë dhe drejtues të gardës që janë të gatshëm të hetojnë së bashku me turqit.
Me shumë mundësi mund të kemi gjeneralë iranianë që po veprojnë në mënyrë të pavarur. Turqia nuk ka qenë vend armik i Iranit; marrëdhëniet mes tyre kanë qenë normale. Nëse Turqia futet në luftë, dhe bashkë me të edhe vende të tjera të NATO-s, ky do të ishte një skenar shumë i keq për Iranin. Futja e Turqisë në konflikt nuk e përmirëson aspak pozitën e Iranit.
Sa i përket Nenit 5 të NATO-s, bazat britanike në Qipro janë territor britanik sipas marrëveshjes që ka bërë Britania, dhe teknikisht NATO do të konsiderohej e goditur. Nëse do të duhej të aktivizohej Neni 5, kjo do të vinte nga një goditje në Qipro. Megjithatë, është vendi që goditet ai që kërkon aktivizimin e këtij neni.” / abcnews.al /


