Goditja e anti-shpifjes nga “Venecia”, gazetarët: Kompetencat e AMA-s të rrezikshme

schedule15:48 - 8 Qershor, 2020

schedule 15:48 - 8 Qershor, 2020

Komisioni i Venecias, në opinionin paraprak të tij, e goditi paketën anti-shpifje, duke thënë se në formën që është nuk mund të miratohet në Parlament. Gazetarët Fatos Hakorja dhe Gjergji Erebara e komentojnë opinionin e Venecias si mbështetës edhe të argumenteve që janë dhënë nga njohësit e ligjit në vend.

“Ai ligj është një ligj i vdekur. Nuk mund të ketë policë për median. Ligji është bërë për të dhunuar median kritike”, u shpreh Gjergj Erebara.

Gazetari Hakorja thekson se për portalet është e nevojshme të regjistrohen, por shqetësuese sheh kompetencat e AMAS-s.

Ndërsa Erebara shpreh një tjetër qëllim, sipas tij personal të kryeministrit, që ka iniciuar anti-shpifjen.

“Ai ligji është bërë që të mbrohen të pasurit dhe oligarkët, u shpreh ai.

A do të tërhiqet mazhoranca nga votimi i anti-shpifje, pas opinionit kritik të Venecias?

“Nga qeveria aktuale pres çdo gjë, nuk habitem që kryeministri të dalë edhe kundër BE apo kundër Komisionit të Venecia”, u shpreh Erebara.

Ndërsa Taulant Balla, i pyetur nga gazetarët rekomandoi që të pritet versioni final.

“Mos bëni lapsuse kur thoni që opinioni paraprak ka rrëzuar. Sa kohë është paraprak nuk të rrëzon dot. Të mos bëjmë vlerësime apo opinione mbi opinione paraprake”, u shpreh Balla.

Mazhoranca, pas kritikave të forta edhe nga organizmat e huaj u tërhoq në janar nga votimi në Parlament i dekretit të Presidentit Meta që e ktheu ligjin për mediat audio-vizive për rishqyrtim. Pritet të shikohet opinioni final nga ekspertët e Venecias dhe vendimi i shumicës nëse do e miratojë apo do e rrëzojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!