Një incident i rëndë dhe tëpër i shëmtuar është shënuar pasditen e djeshme në ndeshjen e volejbollit për femra U-18 mes Korçës dhe Dinamos, teksa trajneri i “korçareve”, Romeo Xega ka goditur me shuplakë njërën prej lojtareve.
Pas këtij veprimi që mori dhenë në të gjitha rrjetet sociale ditën e sotme, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit ka shqyrtuar pamjet filmike dhe ka hetuar situatën, dhe kështu ka marrë një vendim për trajnerin Romeo Xega.
Komiteti përkatës ka vendosur t’I heqë licensën trajnerit të Korçës.
Vendimi
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, pasi u njoh me pamjet filmike të arkivuar pranë zyrave të FSHV-së, gjatë ndeshjes Korça Volley-Dinamo (U18 të femrave) e vlefshme për fazën play-off ku trajneri Romeo Xega godet dy lojtaret e ekipit të Korça Volley gjatë pushimeve të seteve, duke ushtruar dhunë fizike, verbale dhe psikologjike ndaj lojtareve të ekipit të pranishëm në pushim. Komiteti Ekzekutiv vëren se Z. Romeo Xega ka qenë disa herë objekt i Komisionit të Disiplinës pranë FSH-së ku është penalizuar e dënuar me masa të ndryshme disiplinore dhe financiare. Bazuar në Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës të FSHV-së, Komiteti Ekzekutiv duke e vlerësuar si një veprim të pa preçedent veprimin e tij,
VENDOSI
- Romeo Xega t’i hiqet licensa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe përjashtohet përgjithmon nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar dhe trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të FSHV-së.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë./ h.ll/abcnews.al