219 kilogramë kokainë janë kapur ne Itali gjate operacionit “Mrekullia” të policisë italiane në bashkëpunim me atë spanjolle. Mes 29 të arrestuarve është dhe një shqiptar. Droga ishte e fshehur në arka me ananas dhe vinte nga Kosta Rika.
Një operacion i koduar “Mrekullia” i policisë italiane ka çuar në shkatërrimin e një trafiku ndërkombëtar kokaine nga Kosta Rika në Itali.
Policia italiane ka zbuluar dy banda që merreshin me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe shpërndarjen e saj në Itali. Operacioni është kryer në bashkëpunim me palën spanjolle dhe ka nisur mbrëmjen e së martës për të përfunduar në orët e para të së mërkurës.
Në pranga kanë përfunduar 29 persona, prej të cilëve një shqiptar, ndërsa pjesa më e madhe janë shtetas italianë. Shqiptari i arrestuar është Gentian Sabliqi dhe arrestimet janë kryer në territoret e provincës së Milanos e Pavias si dhe në Barcelonë të Spanjës.
Hetimet e operacionit “Mrekullia” kanë zbardhur se dy grupet e trafikantëve që kanë trafikuar të paktën mbi 400 kilogramë kokainë me anije nga Amerika Latine në portin e Livornos. Droga fshihej mjaft mirë për t’i shpëtuar kontrollit të rrezeve X në dogana.
Më 27 e 28 Mars të 2018 në portin e Livornos, policia italiane ka sekuestruar dy ngakesa me rreth 215 kilogramë kokainë, si dhe ka verifikuar, por pa mundur të sekuestrojë dy ngarkesa të tjera prej mbi 100 kilogramë kokainë në 7 Tetor të 2017-s e 10 Dhjetor të 2017-s.
Ndërsa rreth 6 kilogramë të tjera kokainë janë sekuestraur gjatë aktivitetit investigativ. Policia ka sekuestruar dhe 219 kilogramë kokainë të fshehur në frutat e ananasit si dhe armë. Kokaina importohej nga Kosta Rika dhe sillej për t’u shitur në Itali dhe Spanjë. Kokaina e sekuestruar ishte brenda disa arkash me ananas në dy kontenierë të ndryshëm.
Përgjimet e investigatorëve kanë zbardhur se kolumbianët mund të furnizonin italianët deri më 8 mijë kilogramë kokainë./abcnews.al