“Global Gateway”, Rama: Komisoni mjaft i dobishëm, sidomos për ata të cilët janë ndjerë të lënë mënjanë më parë

schedule16:46 - 25 Tetor, 2023

schedule 16:46 - 25 Tetor, 2023

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në “Global Gateway Forum 2023”, i cili po zhvillohet në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota, në një debat të zgjeruar mbi çështjet në lidhje me investimet globale në infrastrukturë, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet sektori publik dhe privat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.

Rama e nisi fjalën duke u shprehur se ndjehet i nderuar që është pjesë në këtë takim dhe më pas foli për punën e Komisionit, drejtuar nga Von Der Leyen .

“Jam tejet i nderuar që gjendem këtu sot dhe që kam privilegjin që të flas përpara kësaj salle dhe meqë ra fjala, nuk më kujtohet hera e fundit kur kam parë një sallë ku asnjë karrige nuk ishte bosh. Duket si mbledhja e Partisë Komuniste, por falë Zotit nuk është dhe jam i sigurt që gjithsecili prej jush ka ardhur këtu vetëm me vullnetin e tij ose të saj, askush nuk është detyruar edhe pse BE-ja i detyron njerëzit.

Kur mu tha që kisha vetëm 5 minuta, po mendoja që të punosh me BE-në duhet gjithmonë të mbash parasysh dy gjëra: të punosh fort dhe të flasësh shkurt.

Për të parën kemi nisur të punojmë dhe mjaft me sukses, ndërsa për të dytën nuk jemi ende aty ku duhet. Kështu që shpresoj se nuk do të flas aq gjatë saqë Ursula të mendojë që nuk ja vlen të më ftojë më. Të vish këtu të shohësh njerëzit, të gjitha këto personalitete të ftuara nga kudo më erdhi ndërmend fjala e parë e Ursulës si Presidente e Komisionit ku nënvizoi ambicien e saj që Komisioni që do të drejtojë, të ishte një komision gjeopolitik dhe më duhet të them që ngjarjet e kanë ndihmuar për mirë dhe për keq sepse nuk mendoj se ka pasur ndonjë Komision më përpara, së paku mesa kujtoj, që i është dashur të merret me një rrjedhë kaq të pabesueshëm ngjarjesh, nga pandemia deri tek agresioni rus në Ukrainë dhe pak javë më parë me mizorinë, dëshmitarë të së cilës qemë të gjithë, në Izrael.

Nga ana tjetër, më duhet të them që të gjitha këto ngjarje kanë ndihmuar për ta formësuar punën e Komisionit në një mënyrë që ka qenë mjaft e dobishme, sidomos për ata të cilët janë ndjerë të lënë mënjanë më parë. Ashtu siç mund të dëshmojnë miqtë tanë afrikanë apo të tjerë, edhe ne mund ta dëshmojmë.

Unë vij nga një vend që quhet Shqipëri që është pjesë e një rajoni i cili quhet Ballkan. Ballkani Perëndimor i thonë, e që rrethohet nga kufijtë e BE-së por ne nuk jemi BE, jemi vetëm E, pa B!

Na është dashur të bashkëjetojmë me këtë, me një lloj ndjenje izolimi, jo në kuptimin e tmerrshëm me të cilin ky term shfaqet në kujtesë, por në një mënyrë të tillë që jemi ndjerë gjithmonë sikur ishim të dënuar të ishim qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti dhe kjo ka ndryshuar dhe po ndryshon dita-ditës.

Pak ditë më parë ne mikpritëm Komisionin Europian, Presidenten e tij dhe shumë të tjerë në Tiranë për një Samit, i cili vetëm pak vite më parë do të ishte i paimagjinueshëm. Një Samit që mblodhi bashkë Ballkanin Perëndimor dhe udhëheqësit nga Bashkimi Europian dhe vetë Bashkimin Europian për të parë nga e ardhmja” u shpreh Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!