Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali i ftuar në emisionin “Abc-ja e Mëngjesit”, ka theksuar se vendimi më i fundit i Parlamentit Evropian është një mesazh që duhet të merret seriozisht nga klasa politike.
Gjipali në fjalën e tij ka deklaruar se 15 kushtet e vendosura nga BE, nuk është domosdosmeri që të plotësohen menjëherë, pasi disa prej tyre mund të vijojnë të përmbushen edhe pas hapjes së negociatave.
“Zyrtarisht ne negociatat i kemi të hapura, por 15 kushtet kanë të bëjnë me finalizimin e bisedimeve, por e rëndësishme është arritja sa të mundemi për plotësimin e tyre. Në rezolutën e fundit tregohet se po bie besueshmëria e ndërkombëtarëve në trajtimin e çështjeve institucionale të Shqipërisë. Ndërkohë ne e dimë se Parlamenti Evropian është një ndër tre strukturat më pak të rëndësishme të BE, pasi siç e pamë në tetor, është Këshilli i Ministrave të vendeve anëtarë që mund të bllokojnë anëtarësimin. Mesazhi i Parlamentit duhet të merret si një mesazh dhe ne duket të jemi të vëmendshëm ndaj asaj që kërkohet. Një nga mangësitë e klasës politike shqiptare është se ajo luan me procesin e integrimit, dhe nëse jemi para një procesi elektoral është i vështirë që të shikojmë hapa real dhe të rëndësishëm”, tha Gjipali.
Ndër të tjera ai ka theksuar se është e rëndësishme që në këto katër muajt në vijim nëse duam që të kemi progres në procesin e integrimit duket që të bëjmë një përparim në tre çështjet kryesore.
Reforma zgjedhore dhe ajo në Drejtësi duhet të jetë fokusi i klasës politike.
“Janë 15 kushte por jo të gjitha duhet të plotësohen për 4 muaj. Kushtet që duhet të plotësohen janë Reforma ne Drejtësi, plotësimi i Kushtetueses, plotësimi i SPAK, janë pika që bllokojnë procesin, gjithashtu dhe reforma zgjedhore. Ulja e numrit të azilkërkuesve, që të mos kemi luhatje shifrash siç na ndodh rritje dhe ulje herë pas here. Lufta kundër korrupsionit është një tjetër çështje, që ndërkombëtarët tashmë kërkojnë hapa konkretë në lidhje me personat që nuk kanë kaluar vettingun dhe të ketë lëvizje në lidhje me hetimin e vjedhjes së votave”, është shprehur ndër të tjera. /abcnews.al