Ukraina do të vendosë kufizime të reja për përdorimin e rrymës dhe do të lejojë importe shtesë të energjisë, ndërkohë që po bën përpjekje për ta ndrequr infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ruse, tha të martën vonë kryeministrja Yulia Svyrydenko.
Forcat ruse kanë rritur ndjeshëm numrin dhe intensitetin e sulmeve ndaj infrastrukturës së gazit dhe energjisë në Ukrainë gjatë muajve të fundit, duke shënjestruar si termocentralet, ashtu edhe sistemet e bartjes së energjisë elektrike.
Në javët e fundit qytetarët në shumë rajone të Ukrainës po përballen me ndërprerje të vazhdueshme dhe të papritura të rrymës.
Të martën, rreth gjysma e banorëve të kryeqytetit Kiev mbetën njëkohësisht në terr.
“Ndriçimi shtesë për ndërtesat, rrugët, parqet, dritat dekorative dhe reklamat e jashtme në qendrat e qyteteve nuk janë prioritet gjatë kësaj periudhe të vështirë për sektorin energjetik”, tha Svyrydenko në X, duke shpallur masa të reja për të përmirësuar gjendjen për konsumatorët civilë.
Lista e ndërtesave që kanë të drejtë të furnizohen me rrymë pa ndërprerje duhet të shkurtohet më shumë.
Përjashtim bëjnë spitalet, shkollat, ndërtesat jetike dhe ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes.
Ndërmarrjet shtetërore do të jenë në gjendje të nisin importet e energjisë, shtoi Svyrydenko.

