Gjysma e 4 milionë rasteve të reja me Covid-19 në Europë, por ka shpresë për përmirësim

schedule10:50 - 19 Nëntor, 2020

schedule 10:50 - 19 Nëntor, 2020

Nga Jamey Keaten, ABCNEWS

Europa ka regjistruar gjysmën e 4 milion rasteve me koronavirus në botë gjatë javës së kaluar, por regjistroi një rënie prej gati 10% të rasteve krahasuar me një javë më parë,  pjesërisht falë masave të rrepta të bllokimit të qeverisë që kanë nxitur pakënaqësi.

Në kryeqytetin gjerman të Berlinit, përplasjet e dhunshme midis atyre që protestuan kundër kufizimeve të koronavirusit dhe policisë shpërthyen të mërkurën pranë qendrës së qytetit pasi protestuesit nuk respektuan këshillat e policisë për të mbajtur maska ​​dhe nuk respektuan distancimin social.

Vlerësimi i fundit javor nga agjencia shëndetësore e OKB-së zbuloi se rajoni europian me 54 kombe vazhdonte të raportonte shumicën e rasteve të reja të çdo rajoni në të gjithë botën – 46%.

Por ndërsa rastet e reja pësuan rënie, shkalla e vdekshmërisë u rrit “ndjeshëm” në Europë gjatë javës së fundit në më shumë se 29,000 viktima të reja, tha OBSH.

Amerika pa një rritje prej 41% të rasteve të reja. Azia Juglindore ishte i vetmi rajon që pa një rënie të rasteve dhe viktimave.

OBSH deklaroi që rritja më e madhe e rasteve në Europë ishte në Austri, e cila pa një rritje prej 30% të rasteve të reja krahasuar me javën e kaluar. OBSH-ja gjithashtu vuri në dukje se Britania ishte vendi i parë në rajon që regjistroi më shumë se 50,000 viktima.

Belgjika deklaroi të mërkurën se kishte ndërmarrë një hap të madh në parandalimin e koronavirusit, duke raportuar një rënie në numrin ditor të viktimave për herë të parë që kur vala e fundit COVID-19 goditi këtë vjeshtë.

Virologu Steven Van Gucht, nga grupi shëndetësor i qeverisë Sciensano, tha se mesatarja ditore e vdekjeve nga koronavirusi në Belgjikë tani ishte 185, një rënie prej 5% krahasuar me mesataren e një jave më parë. Gjatë javës së fundit, mesatarja ditore e shtrimeve në spital ra në 24% dhe rastet e reja ranë në 39%.

Zyrtarët në Holandë, kanë filluar të lehtësojnë masat e mara kundër koronavirusit mes rënies së normave të rasteve dhe ishin të gatshëm të rihapnin vende si kinema, muze, biblioteka, kopshte zoologjike dhe pishina, dy javë pas mbylljes.

Kryeministri holandez Mark Rutte përshëndeti qasjen pozitive por tha se numri i rasteve ishte ende i lartë. Ai paralajmëroi se vendi do të jetë në një bllokim të pjesshëm. Në mes të tetorit, normat e rasteve në Holandë  ishin ndër më të këqijat në Europë.

Zvicra, e cila ka regjistruar disa nga nivelet më të larta të transmetimit në botë në javët e fundit, të mërkurën njoftoi se do të rriste mbështetjen e qeverisë për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi dhe nga masat e bllokimit – duke përfshirë një shtesë prej 1 miliard franga zvicerane.

Vendi Alpin numëroi mbi 6,000 raste të reja gjatë ditës së fundit, nga një kulm prej më shumë se 10,000 raste ditore në tetor. Zyrtarët rajonalë në Gjenevë vunë në dukje rënie të rasteve pozitive ditët e fundit dhe të mërkurën lehtësuan disa kufizime.

Ndërkohë, në Gjermani vazhdojnë ende protestat në lidhej me masat e reja të bllokimit.

Në Berlin, policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve. Përplasja mes policisë shpërtheu pasi turmat injoruan thirrjet për të mbajtur maska ​​dhe për të ruajtur distancën nga njëri-tjetri në përputhje me rregullat e pandemisë.

Protestat nisën ndërsa ligjvënësit gjermanë po debatonin për një projekt-ligj që mund të sigurojë bazat ligjore për qeverinë për  rregulla të distancës sociale, detyrimin e mbajtjes së maskave ​​në dyqane publike dhe të mbyllura dhe lokale të tjera për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Shumica e njerëzve në Gjermani mbështesin rregulla të tilla, por një pakicë e zëshme ka organizuar tubime të rregullta duke argumentuar se kufizimet shkelin kushtetutën.

“Ne duam që të na rikthehet jeta”, lexonte një pankartë e protestuesve në Berlin.

Gjermania u vlerësua për trajtimin e saj të valës së parë të virusit, por si shumë vende të Europës ka parë një rritje të mprehtë të rasteve të reja në javët e fundit. Vendi ka regjistruar 833,000 raste të reja dhe më shumë se 13,000 viktima të konfirmuara nga virusi.

Europa ka regjistruar mbi 338,000 viktima nga pandemia, sipas një rezultati nga Universiteti Johns Hopkins. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!