Alma Vokopola është tani anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), organ kyç ky i Reformës në Drejtësi, i cili vlerëson gjyqtarët dhe prokurorët mbi aftësitë profesionale, integritetin personal si edhe nëse kanë kontakte me krimin.
Kështu, edhe me firmën e Vokopolës është duke u ndërtuar Sistemi i ri i Drejtësisë në vend, për të cilin janë investuar dhjetra milion dollar dhe euro si edhe shpresat e miliona shqiptarëve se më në fund do të vendoset shteti ligjor.
Mirëpo, ka një problem.
Ajo që firmos për shkarkimin apo qendrimin në detyrë të gjyqtarëve apo prokurorëve, në fakt është shkarkuar vetë nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ e sotme).
Në 23 gusht të vitit 1996, KLD vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Lushnjes.
Dokumenti është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Rudin Baqli dhe në të shkruhet: “Alma Vokopola (Faskaj), me vendimin nr. 8, dt. 23.08.1996 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.
Ky fakt, duket se është mbajtur i fshehtë në aplikimin që zonja Faskaj ka dorëzuar për kandidimin si anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ligji për Vettingun parashikon se nuk mund të zgjidhen komisionerë personat që janë shkarkuar nga detyra me vendim të formës së prerë.