Në gjykatën e posacme nisi procesi gjyqësor për inceneratorin e Elbasanit. Mes të pandehurve është edhe ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili akuzohet nga SPAK për veprat penale “ korrupsion pasiv” në 9 episode, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mos deklarim pasurie” në 15 raste vetëm ose në bashkëpunim me Erjola Hoxhën dhe Albina Mançkën.
Seanca e parë në GJKKO u shty për shkak se gjyqtari Çela vendosi t ia kalojë cështjen gjyqtares Rudina Palloi, sepse ka qenë gjyqtarja që ka shqyrtuar çështjen mëmë të inceneratorit të Elbasanit.
Përveç ish numrit dy të qeverisë, të pandehur janë edhe ish bashkëshortja e tij Albina Mançka, bashkëjetuesja aktuale Erjola Hoxha, Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja. Kjo dosje doli si fraksion më vete për procedimin mëmë të inceratorit të Elbasanit, ndërsa personat e lartëpërmendur akuzohen për një sërë veprash penale.
Çështja u hetua nga tre prokurorët e posaçëm Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti. Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej muajit korrik të vitit 2023, ndërkohë që organi akuzës ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe familjarëve të tij. Ahmetaj ndërkohë po gjykohet në GJKKO edhe për një tjetër çeshtje, të quajtur si “Buka Sha”, ku dyshohet për“shpërdorim detyre”./abcnews.al


