HAGË– Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se ndodhet në vitin e 16-të të jetës së tij të kaluar në burg, duke përfshirë periudhën 1981–1991 dhe paraburgimin aktual në Hagë.
Krasniqi kujtoi daljen e tij publike më 11 qershor 1998, duke theksuar se ajo erdhi pas masakrave në Likoshan dhe Prekaz, ku, sipas tij, humbën jetën 83 civilë, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ai i cilësoi këto ngjarje si një pikë kthese për ndërgjegjen e shqiptarëve në Kosovë.
Duke folur për akuzat ndaj tij dhe ndaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Krasniqi tha se ato janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që, sipas tij, shkaktuan luftërat në ish-federatën jugosllave brenda një dekade.
“Sot ndodhem në vitin tim të 16 të burgimit. Ndodhëm në burg, sepse luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim. Thashë në vitin e 16-të, se 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga 1981-1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vite të jetë burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël, por është diçka e madhe.
Dalja ime publike më 11 qershor 1998 tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi pak kohë pas masakrave serbe në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, ku humbën jetën 83 njerëz, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar dhe të paarmatosur, të vrarë në shtëpitë e tyre.
Këto vrasje brutale shënuan një pikë kthesë të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh. Akuzat e prokurorisë dhe kundër nesh dhe UÇK janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra, në të gjithë federatën jugosllave, brenda një dekada të vetme.
Nuk mendoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e sidomos asaj drejtësie, që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet me gjuhën e ish-shtypësve, ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe të vërtetën.”, tha ai.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre/abcnews.al


