Analisti Frrok Çupi i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi mbrojtjen publike të Rubin si një sinjal të qartë të rikthimit të vëmendjes amerikane ndaj Kosovës. Sipas Çupit, angazhimi i Shteteve të Bashkuara për Kosovën nuk ka qenë kurrë më i thellë se sot, dhe kjo duhet parë si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj qëndrimeve të dyshimta europiane.
Sipas Çupit, kthimi i Hashim Thaçit në krye të Kosovës është një domosdoshmëri politike dhe historike. Ai e përshkroi ish-presidentin si të vetmin lider që kupton në thelb marrëdhënien e Kosovës me ndërkombëtarët dhe se si duhet të qeveriset një shtet që ende përballet me pasojat e luftës, ndërkombëtarizimit të drejtësisë dhe sfidat e një tranzicioni të papërfunduar.
“Ajo se çfarë po ndodh me Kosovën është e ndryshme nga ajo që ka ndodhur më parë. Amerika nuk është angazhuar asnjëherë kaq shumë sa është angazhuar për Kosovës. James Rubin është një faktor amerikan, ishte një mbrojtje e rëndësishme për ish-krerët UÇK. Europa ka gabuar aq keq me Kosovën dhe racën shqiptare, duhet të bëjë një korrigjim. Shqipëria dhe BE nuk mund të jenë në të njëjtën tribunë me ata që e kanë akuzuar vendin tonë kaq rëndë. Kthimi i Hashim Thaçit në krye të Kosovës është një domosdoshmëri. Është i vetmi politikan se çfarë është Kosova në raport me ndërkombëtarët dhe se si qeveriset”, tha analisti Frrok Çupi.
Kujtojmë se në vazhdim të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, këtë të martë, më 16 shtator, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ngriti shqetësime serioze mbi drejtësinë dhe narrativën ndërkombëtare që është ndërtuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai kritikoi mbajtjen për më shumë se pesë vite në paraburgim të Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndërsa hodhi dyshime mbi objektivitetin e disa raporteve të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Rubin kujtoi gjithashtu se SHBA-ja, fillimisht, e kishte konsideruar UÇK-në si organizatë terroriste, por me kalimin e kohës e kishte rishikuar qëndrimin, ndërsa shtoi se nuk i kujtohej nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli kishin qenë pjesë e delegacionit në Rambuje./abcnews.al

