Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në ‘News Line’ me gazetaren Viol Xhafaj komentoi gjyqin nga Gjykata Speciale në Hagë për ish krerët e UÇK-së. Sipas analistit, po bëhet një padrejtësi e madhe ndaj të akuzuarve për faktin se janë mbajtur gjatë në paraburgim derisa të provohen akuzat ndaj tyre.
“Procesi shihet si padrejtësi dhe kjo u duk edhe tek manifestimi i cili ishte një mesazh i pakënaqësisë popullore ndaj këtij procesi. Ky është një proces, që pavarësisht llojit të institucionit që është zgjedhur për ta zhvilluar atë, një gjykatë e krijuar me ligj të Kosovës por e vendosur në një shtet tjetër mendoj se ka karakterin e një precedenti që mund të përdoret për të procesuar krimet e luftës që po kryhen në Ukrainë. Për shkak se ky është një proces që i përket një drejtësie speciale, hapësira për abuzim dhe padrejtësi është e madhe dhe duket qartë në atë që procesi do të zgjasë pafundësisht dhe ata që janë të akuzuarit kryesorë janë mbajtur gjatë derisa të provohen akuzat e tyre që është shkelje e parimeve universale të së drejtës dhe vetë procedura gjyqësore do të zgjasë gjatë.”, tha Nazarko.
Ndërkohë duke komentuar lëvizjen e qeverisë shqiptare për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011 lidhur me akuzat e ngritura ndaj ushtrisë çlirimtare të Kosovës, analisti thotë se kjo lëvizje është e drejtë por e vështirë që akuzat të rrëzohen nga veprime të ndërmarra nga BE.
“Kjo është lëvizje e drejtë që heq sadopak baltën që është vendosur mbi shtetin shqiptar, shqiptarët dhe NATO që ka toleruar që nën emrin e saj, faktorë politik dhe ushtarak kanë bashkëpunuar për trafik organesh. Është një lëvizje e drejtë, politike dhe institucionale që në fakt do ta ndikojë pak ose aspak gjykatën sepse prokuroria e ka hequr në listën e krimeve për të cilën akuzon katër personalitetet, trafikun e organeve. Kjo ka vënë në lëvizje qeverinë shqiptare që me një autoritet të rigjetur ndërkombëtar të kërkojë ta heqë rezolutën dhe duke shfuqizuar dhe në një farë heq një nga themelet mbi të cilat ishte mbështetur krijimi i kësaj gjykate. Por gjykata është vështirësisht e çmontueshme, e rrëzueshme dhe për pasojë vështirësisht e imagjinueshme që akuza të rrëzohet nga një veprim i jashtëm nga institucionet si BE apo KiE.“, tha Nazarko./abcnews.al