Gjyqi ndaj Derek Chauvin, dëshmon e dashura e George Floyd-it

schedule07:45 - 2 Prill, 2021

schedule 07:45 - 2 Prill, 2021

Gjatë seancës gjyqësore të së enjtes e dashura e George Floyd-it përshkroi mes lotësh se si ishte takuar me të për herë të parë, rreth tre vite para incidentit vdekjeprurës në qytetin e Mineapolisit.

Courteney Ross dëshmoi në ditën e katërt të gjyqit ndaj ish-oficerit të policisë Derek Chauvin, i akuzuar mbi vdekjen e zotit Floyd vitin e kaluar, një ngjarje që shkaktoi protesta të gjera kundër dhunës policore dhe racizmit sistematik.

Zonja Ross tha se ishte takuar me zotin Floyd në një nga degët e shoqatës së krishterë të bamirësisë “Salvation Army”, ku ai punonte si një roje sigurie dhe se i kishte folur siç tha ajo, me ” nje dialekt të shkëlqyer jugor”. Ajo pranoi gjithashtu se të dy kishin vuajtur nga varësia prej opioideve.

“Është historia klasike se si njerëzit bëhen të varur nga opioidet. Të dy vuanim nga dhimbje kronike, unë në qafë dhe ai në shpinë”, tha zonja Ross.

“Të dy i merrnim ilaçet kundër dhimbjeve me recetë. Por receta pas recetash ne fituam varësi. Por shumë herë u përpoqëm realisht shumë që ta thyejmë varësinë (nga opioidet)”, shtoi zoti Ross.

Dëshmia e saj u duk si një përpjekje e prokurorëve për ta shfaqur më njerëzore figurën e zoti Floyd e për të nxitur ndjeshmërinë tek anëtarët e jurisë. Ekipi i avokatëve mbrojtës të zotit Chauvin pritet të theksojë se autopsia gjeti përmbajtje fentanili dhe metamfetaminë në trupin e zotit Floyd.

Të mërkurën vonë, anëtarët e jurisë panë një video rreth 20 minuta të gjatë të marrë ka kamerat që instalohen në trupat e policisëve. Pamjet i referoheshin momentit kur policia i ishte afruar automjetit të zotit Floyd dhe kur e kishin hipur në një ambulancë.

Të mërkurën u shfaq dhe një video e cila tregonte zotin Chauvin duke thënë se zoti Floyd ishte “një djalë trupmadh” dhe “ndoshta kishte pirë ndonjë gjë”.

Zoti Chauvin i vendosi gjurin zotit Floyd në pjesën e pasme të qafës duke e mbajtur për 9 minuta dhe 29 sekonda ndërsa zoti Floyd qante vazhdimisht duke thënë se nuk po merrte dot frymë.

Zoti Chauvin, një polic i bardhë, u pushua nga departamenti i policisë së qytetit një ditë pasi afro-amerikani George Floyd, vdiq në duart e policisë.

Anëtarët e jurisë dëgjuan gjithashtu dëshmi nga disa dëshmitarë, mes tyre arkëtari i dyqanit që i shiti cigare zotit Floyd vetëm disa momente para incidentit.

Christopher Martin dëshmoi se ai me vetëdije e kishte pranuar kartmonedhën false prej 20 dollarësh nga zoti Floyd për të blerë cigare, edhe pse e dinte se në përputhje me politikën e dyqanit, paratë do t’i mbaheshin nga paga e tij.

19-vjeçari tha pasi pati dyshime rreth vendimit që mori, ai kishte informuar menaxherin e dyqanit. Ky i fundit i kishte thënë që të dilte jashtë dhe t’i kërkonte zotit Floyd të kthehej në dyqan.

“Nëse thjesht nuk do ta kisha marrë kartmonedhën, kjo gjë do të ishte shmangur”, tha zoti Martin.

Duke u bërë jehonë ndjenjave të dëshmitarëve të tjera mbi incidentin, zoti Martin tha se ajo që kishte ndodhur i ishte dukur si diçka “e pabesueshme dhe se ishte ndjerë fajtor”, kur qëndronte buzë trotuarit duke parë arrestimin e zotit Floyd.

Zoti Martin është një prej disa personave që kanë dëshmuar në lidhje me zhgënjimin dhe zemërimin e tyre mbi ngjarjen që ndodhi në maj të 2020 jashtë një kinkalerie.

Derek Chauvin përballet me akuza për vrasje dhe vrasje pa paremendim, për të cilat është vetëdeklaruar si i pafajshëm. Avokatët e tij mbrojtës kanë argumentuar se zoti Chauvin kishte ndjekur procedurat sipas trajnimeve që ka bërë dhe se faktorë të tjerë, të tillë si sëmundja e zemrës dhe përdorimi i drogës, kishin shkaktuar vdekjen e zotit Floyd.

Qyteti i Mineapolisit së fundmi ra dakord t’u paguajë të afërmëve të zotit Floyd një shumë prej 27 milionë dollarësh dëmshpërblim si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë zgjidhje pretendimeve të tyre rreth kësaj çështjeje./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!