Gjatë intervistës me gazetarin Arlind Isa në “Special Report”, juristja Brizida Gjikondi foli edhe për protestën që do të mbahet me 3 Mars, ditë kur pritet që gjykata të vendosë për vulën e PD. Ajo tha se është e papranueshme që një lider politik të ushtrojë presion kaq hapur ndaj gjyqësorit.
“Gjyqi është në 3 mars dhe është skandaloze që ne si shqiptarë, të pranojmë që një lider politik, si dhe deputet, të shkojë në mënyrë të hapur dhe t’i bëjë presion gjyqësorit. Për mua, thjesht ajo protestë dhe ajo që bën ai, tregon se do ta marrë me çdo formë vulën e PD.”, tha ajo duke shtuar se Berisha nuk ka mbështetje nga populli.
Sipas saj, Gjykata e Apelit mund ta rikthejë sërish çështjen për rigjykim.
“Shanset më të mëdha janë që kjo çështje të shkojë për rigjykim në Gjykatën e Tiranës sepse mënyra se si është hetuar nga Zhukri lë shumë për të dëshiruar nga ana juridike. Shihet që ka përdorur variantin që thotë populli se ‘ku ka ligje ka dhe shtigje’. Nëse shkon për rigjykim në shkallë të parë, shkon kur procedura nuk është siç duhet.
Dihet që nuk mund të prekësh në mënyrë radikale statusin e një partie. Ka prekur gati 80 përqind të statutit të PD, dhe mendoj se Gjykata e Apelit mund të marrë vendimin e pjekur, duke e riçuar atë vendim për t’u parë në një sy tjetër.”, tha mes të tjerash juristja gjatë intervistës për Abc News./abcnews.al