Gjykata ruse kërkon arrestimin e “spiunes” që u kap në Gramsh, a po kërkon FSB të shpëtojë “Agjenten” përmes burgut?

schedule17:37 - 26 Gusht, 2022

schedule 17:37 - 26 Gusht, 2022

Gjykata e Moskës e Qarkut Meshchansky, ka lëshuar një urdhërarresti për rusen e kapur në Gramsh, Svetlana Valeryevna Timofeyeva, e cila sëbashku me dy shtetas të tjerë tentoi të hyjë fshehurazi në Uzinën e Përpunimit të Armëve.

Aktualisht Svetlana Valeryevna Timofeyeva, sëbashku me Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, ndodhen në paraburgimin e Elbasanit, ndërsa gjykata ka lënë masën e arrestit me burg, pas akuzave për spiunazh të ngritura nga Prokuroria shqiptare.

Pas arrestimit të tyre në lojë hyri diplomacia, ku rusët tentuan të sfumonin ngjarjen, duke e cilësuar forgrafimin e pikave strategjike të ushtrisë shqiptare si hobi të të rinjve.

Por ajo që të tërheq vëmendjen është pikërisht urdhërarresti i gjykatës së Moskës për “Lanën” e famshme, e cila nuk është hera e parë që akuzohet për spiunazh në Ballkan.

Mesa duket marrëdhëniet diplomatike, dhe lëvizjet nën “tavolinë” këtë herë nuk i bënë punë FSB-së ruse për të nxjerrë sa më parë agjentët e tyre nga një vend i huaj.

Prandaj është shpikur dhe “karta” e fundit, ajo e urdhëarrestit, me pretendimin se Lana akuzohet për posedimit të materialeve sensitive, raporton Abcnews.al.

Prapaskenat

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ishte i para që paralajmëroi në Abcnews.al se për “Lanën” do të bëhej një luftë e fortë, dhe se fillimisht në adresë të institucioneve shqiptare kishin mbërritur me dhjetëra e-maile, dhe se hapi i dytë ishte ai i marrëdhënieve diplomatike dhe në fund ekzistonte dhe frika që në Shqipëri të futej njësia 29155 GRU, e cila mund të bënte dhe eliminimin fizik të “spiunes”.

Por mesa duket në një kohë që asnjë nga lëvizjet e para nuk i ka bërë punë FSB-së, është shpikur fletëarresti, i cili është lëshuar në datë 26 Gusht, disa ditë pas arrestimit të Lanës dhe “miqve” të saj në Uzinën e Armëve në Gramsh, ku pati dhe një përplasje fizike mes tyre dhe dy ushtarëve shqiptarë Ardi Bici dhe Gentjan Xhaka, ku dy të fundit mbetën të plagosur.

Agjencia ruse e lajmeve TASS raporton se një gjykatë në Moskë ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në emër të saj duke kërkuar arrestimin dhe ekstradimin në shtetin amë.

Akuzat

Rusja akuzohet në Shqipëri se është pjesë e agjenturave ruse dhe kishte ardhur me mision në vendin tonë, ndërkohë që ajo që e shton më shumë misterin lidhet me faktin se gjykata në vendin e saj kërkon ekstradimin urgjent.

Timofeyeva njihet si fotografe që shkrep fotografi të fabrikave funksionale dhe atyre të braktisura, dhe i publikon në llogarinë e saj në Instagram, në të cilën ka mbi 250 mijë ndjekës.

Timofeyeva dhe dy burrat tjerë, njëri rus, Mikhail Zorin, dhe tjetri ukrainas, Fedir Mykhaylov, janë ndaluar më 20 gusht në Shqipëri, vend anëtar i NATO-s.

Shqipëria po ashtu mbështet Ukrainën teksa mbrohet nga pushtimi rus.

Fabrika e armëve në Gramsh është hapur më 1962 për të prodhuar pushkë të llojit AK-47 dhe armë tjera.

Aty është ndalur prodhimi pas rënies së komunizmit më 1990 dhe më pas ka nisur shkatërrimi i armëve. Fabrika përdoret ende për të riparuar armë ushtarake, mirëpo nuk prodhon më të tilla.

Autoritetet shqiptare kanë thënë se Timofeyeva dhe Mykhaylov janë ndaluar afër fabrikës, ndërsa Zorin ka qenë brenda. Ai ka hedhur sprej piperi ndaj dy roje ushtarave që kanë tentuar të kapin.

Më 24 gusht, autoritetet në Shqipëri kanë marrë vendim që tre personat të qëndrojnë në burg derisa të përfundojnë hetimet.

Incidenti në Gramsh

Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arrestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray  dy ushtarët shqiptarë.

Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.

Për këtë ngjarje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se hetimet vijojnë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!