Emiljano Shullazi do të vijojë të mbetet në qelitë e regjimit 41-biss. Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot pretendimet e tij për t’u liruar nga kjo qeli, ku sipas afatit duhet të qëndrojë deri në gusht të këtij viti.
Në përfundim të seancës avokatja e tij amerikane Lambrini Nasiss ka ngritur pretendimin se i është mohuar e drejta e fjalës ndonëse është legjitimuar si mbrojtëse nga gjykata. Ajo është shprehur se me anë të një shkrese ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Miliana Muça.
“Më është mohuar e drejta e fjalës, ndonëse jam legjitimuar si mbrojtëse nga gjykata. I jemi drejtuar edhe Gjykatës së Lartë për përjashtimin e gjyqtares Miliana Muça, për parregullsitë në Apel i jemi drejtuar edhe ODPAT që monitoron reformën në drejtësi. Nëse do jetë e nevojshme do i drejtohemi edhe gjyqtares së Strasburgut”, ka deklaruar ajo.
Shullazi njihet nga drejtësia shqiptare si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale dhe akuzohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin duke e dënuar me 14 vjet burg. Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg. /mv.abcnews.al