Gjykata pushoi çështjen, nuk vonon reagimi i Taulant Ballës

schedule17:44 - 13 Janar, 2020

schedule 17:44 - 13 Janar, 2020

Ashtu siç pritej, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla nuk ka pritur shumë për të reaguar ndaj vendimit të gjykatës për pushimin e akuzave për lobimin rus ndaj Lulzim Bashës.

Balla shprehet se asgjë nuk mbyllet për Bashën me këtë vendim duke theksuar se kryedemokrati do të pyetet patjetër për këtë çështje.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm”, shprehet Balla duke i kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë “që të hetojë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë”.

Balla kërkoi nga prokuroria apelimin e këtij vendimi të cilësuar si absurd.

“Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, tha ai.

Gjykata pushoi pasditen e sotme akuzat për lobimin rus ndaj Lulzim Bashës duke finalizuar kështu një hetim dy vjeçar. Mbetet për t’u parë nëse prokuroria do ta apelojë këtë vendim. /abcnews.al