Gjykata Federale e Boston ne Shtetet e Bashkuarate Amerikes ka bllokuar përpjekjen e presidentit Donald Trump për të ndalur Universitetin e Harvardit nga regjistrimi i studentëve të huaj, duke i dhënë një tjetër fitore universitetit prestigjioz në betejën e tij me Shtëpinë e Bardhë.
Vendimi i së premtes, i dhënë nga gjykatësja Allison Burroughs në Boston, lejon Harvardin të vazhdojë të pranojë studentë ndërkombëtarë, ndërsa padia e ngritur nga universiteti ndaj qeverisë federale vijon të shqyrtohet në gjykatë.
Megjithatë, gjykatësja Burroughs theksoi se qeveria federale ruan të drejtën të rishikojë politikat e pranimeve të Harvardit për studentët e huaj përmes procedurave të zakonshme ligjore.
Harvardi është përfshirë në një debat të ashpër publik mbi lirinë akademike dhe të drejtën për të protestuar kundër gjenocidit në vazhdim të Izraelit në Gaza, pasi studentët pro-Palestinë kërkuan transparencë të plotë për investimet e universitetit në kompani të lidhura me Izraelin dhe shkëputje nga ato investime.
Trump dhe mbështetësit e tij pretendojnë se Harvard dhe universitete të tjera amerikane që përjetuan protesta të ngjashme janë bastione të pakontrolluara të paragjykimeve liberale, anti-konzervatore dhe “anti-semitizmit”.
Në maj, Harvard paditi Departamentin e Sigurisë Kombëtare pasi ky i fundit i hoqi papritur universitetit certifikimin për të regjistruar studentë të huaj dhe për t’u lëshuar atyre dokumentet për vizë, duke anashkaluar procedurat standarde.
Ky vendim mund të kishte detyruar rreth 7,000 studentë ndërkombëtarë të Harvardit – rreth një e katërta e totalit të regjistrimeve – të transferoheshin ose të qëndronin në SHBA pa dokumentacionin e nevojshëm. Studentët e rinj të huaj do të ndaloheshin të vinin në Harvard.
Universiteti pretendon se po përballet me hakmarrje të paligjshme për shkak të refuzimit të kërkesave të Shtëpisë së Bardhë për të ndryshuar politikat e tij për protestat në kampus, pranimet dhe punësimet.
Trump, i cili ka shkurtuar rreth 3.2 miliardë dollarë grante federale për Harvardin dhe ka përdorur disa taktika për të bllokuar praninë e studentëve të huaj, deklaroi se administrata e tij ka qenë në bisedime me universitetin.
“Shumë njerëz po pyesin çfarë po ndodh me Universitetin e Harvardit dhe shkeljet e tyre të mëdha, të cilat ne po i trajtojmë, duke kërkuar një zgjidhje,” shkroi Trump në Truth Social të premten.
“Ne kemi punuar ngushtë me Harvardin dhe është shumë e mundur që një marrëveshje të shpallet javën që vjen. Nëse arrihet, do të jetë HISTORIKE dhe shumë e mirë për vendin tonë.”
Kreu i Shtepise se Bardhe nuk dha me shume detaje mbi kete marreveshje. / abcnews.al