Gjykata Penale e Tiranës dënon me 1 vit burg shtetasin turk, kërkesa për azil ende e pashqyrtuar

schedule16:50 - 27 Janar, 2020

schedule 16:50 - 27 Janar, 2020

Gjykata Penale e Tiranës dënoi me 1 vit burg shtetasin turk Selami Simsek. Ai është mbështetës i Lëvizjes “Gylen”, ndaj së cilës Presidenti Erdogan ka nisur një fushatë të egër përndjekjeje.

Ky vendim  pengon të paktën për momentin dëbimin nga Shqipëria siç ndodhi me Harun Çelik, i cili u dërgua në Turqi duke shkelur ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare.

Prokuroria e akuzon Simsek  për falsifikim të vizës. Organi i Akuzës kishte  kërkuar dënimin me një vit e gjashtë muaj burg. Duke qenë se Simsek po gjykohej me gjykim të shkurtuar, atij i ulet 1/3 e masës së dënimit.

Ai ka kryer rreth 10 muaj burg, në paraburgimin e burgut 302. Për shkak të llogaritjes së ditëve të burgimit të Simsek, ai pritet të lirohet brenda pak javësh.

Selami Simsek do të vuajë dënimin në një burg të zakonshëm në Shqipëri.

Ndërsa avokati i tij Elton Hyseni kërkoi në seancë, të bëhet lirimi i menjëhershëm i klientit të tij, për shkak se ka kryer rreth 10 muaj burg, dhe pjesa e mbetur t’i konvertohet në shërbim prove, por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata.

Gjyqtari Ahmet Metalija vendosi që të bëhet asgjësimi i provës materiale që është viza e falsifikuar. Ndërsa vet Selami Simsek nuk tha asgjë në seancë.

Ndryshe nga miku i tij Harun Çelik i cili u dëbua më 1 Janar 2020, nga  policia shqiptare me urgjencë drejt Turqisë,  Selami Simsek ka ndjekur rrugët ligjore për ti shpëtuar dëbimit.

Pak ditë më parë ai dorëzoi te autoritetet shqiptare një kërkesë për azil politik në Shqipëri. Kërkesa u be më datë 8 janar 2020 e shkruar me shkrim dore në shqip dhe turqisht.

Ai shprehej se në vendin e tij, Turqi i rrezikohet jeta pasi e konsiderojnë gylenist. Vendimi për këtë kërkesë do të jepet nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit. Sapo përfundoi dënimin Çelik u dëbua me urgjencë duke mos i lënë asnjë ditë kohë për të kërkuar azil politik në vendin tonë.

Urdhri i dëbimit ishte shumë kontradiktor, pasi në pikën e parë thuhej se ka zero ditë qëndrimi në Shqipëri, dhe në pikën tjetër i jepej e drejta e apelimit. Harun Çelik u dëbua menjëherë sapo ka dalë nga ambientet e burgut 302 në kryeqytet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!