Gjykata e Tiranës dje ka zbardhur vendimin e plotë ku njohu Kuvendin e datës 11 Dhjetor të Partisë Demokratike duke lënë në fuqi vendimet e tij. Me zbardhjen e këtij vendimi, zyrtarisht Komisioni i Rithemelimit njihet si organi drejtues i selisë blu. Në emisionin “Log” në Abc deputeti Luan Baçi tha se ky vendim ka qenë i domosdoshëm dhe i detyrueshëm.
“Ky ka qenë nga kuvendet më transparente të PD. U krye me shumë transparence dhe organizim perfekt. Vendimi i gjykatës duhej të bëhej ishte i domosdoshëm por edhe i detyrueshëm që të bëhej”, tha Luan Baçi.
“Ne pamë se gjykata i ka dhënë mandatin dikujt për ta shqyrtuar padinë e palës tjetër. Do shikojmë se çfarë vendimi do të merret. Vendimi i gjykatës së shkallës së parë m’u duk i shkruar mirë”, shtoi analisti Mentor Nazarko.
“Diskutimi mbi këtë situatë është komik”, u shpreh analisti Lorenc Vangjeli.
Sipas gjykatës vendimet në Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit janë marrë sipas parashikimeve të reja statutore të miratuara, dhe kjo është verifikuar nga procesverbali i punimeve të Kuvendit dhe materiali i plotë filmik.
“Rezulton nga materialet e depozituara në dosje, se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në oren 11.00”, thuhet në vendim.
/abcnews.al