Haga urdhër Izraelit/ GJND: Të ndalohet menjëherë operacioni ushtarak në Rafah

schedule15:33 - 24 Maj, 2024

schedule 15:33 - 24 Maj, 2024

Izraeli është urdhëruar nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë të ndalojë menjëherë sulmet ushtarake në Rafah. Gjykata e Hagës ka konstatuar se kushtet e banorëve në rripin e gazës janë katastrofike dhe çdo veprim tjetër në Rafah do t’i përkeqësonte më tej ato.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  urdhëroi Izraelin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Gjyqtarët po ashtu i kërkojnë tel Avivit të ndalë çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve. Kryetari aktual i gjykatës, gjyqtari Nawaf Salam, udhëhoqi seancën.

Ai deklaroi se gjykata ka vërejtur se kushtet katastrofike të jetesës së njerëzve në Rripin e Gazës janë përkeqësuar, veçanërisht me privimin e zgjatur të ushqimit dhe ujit.

Në vendimin e gjykatës së Hagës po ashtu thuhet se Izraeli duhet të mbajë të hapur pikë kalimin në Rafah që e lidh Gazën me Egjiptin, për ofrimin e papenguar të shërbimeve bazike dhe ndihmës humanitare.

Vendimet e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë janë përfundimtare, por vetë institucioni nuk ka asnjë mënyrë për t’i zbatuar ato. Por një vendim kundër Izraelit do të rriste presionin ligjor ndërkombëtar pasi prokurori i lartë i Gjykatës Ndërkombëtare Penale tha të hënën se po kërkonte urdhër-arreste për udhëheqësit kryesorë izraelitë dhe të Hamasit.

Në seancat dëgjimore javën e kaluar, Afrika e Jugut akuzoi se ai që e përshkroi si “gjenocid” izraelit në Gaza kishte goditur një “fazë të re dhe të tmerrshme” me sulmin e saj në Rafah.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid si të egra. Izraeli thotë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza dhe akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!