Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në masën “arrest shtëpie” gjyqtaren Mimoza Margjeka.
Jashtë dyerve të gjykatës Margjeka u përplas me policinë, të cilët nuk e lejonin të fliste para kamerave. Gjyqtarja kërkoi shfuqizimin e vendimit, ndërsa e cilësoi politik për shkak se nuk i dha mandatin kryebashkiakes së Durrësit pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Po ashtu edhe dy avokatët e saj në një prononcim për mediat u shprehën se vendimi i sotëm ishte i padrejtë. Sipas tyre nuk ka asnjë provë që i implikon gjyqtaren Margjeka në aferë.
“Gjykatat nuk po gjykojnë më. I bëj thirrje politikës, që njerëzit të marrin drejtësinë e mohuar. Ky është një rast i paprecedentë kur një gjyqtar vihet para drejtësisë familjarisht dhe burgoset pa një çerek prove. Gjykata e Lartë dhe kushtetuesja janë të zhbëra”.
Provat janë po ato që kanë qenë në gjykimin të shkallës së parë. Nuk ka asnjë provë që dy bashkëshortët janë subjekt të veprës penale. Për fat të keq kjo ndërtesë ka bërë indietro. Është paragjykimi që i kanë bërë zonjës Margjeka. Kanë implikuar bashkëshortin vetëm me një vrojtim sekret.
Nuk ka asnjë provë materiale që të implikojnë gjyqtaren në këtë aferë”, thanë avokatët.
Çështja për të cilën akuzohet Mimoza Margjeka, bashkëshorti i saj si edhe avokati Skënder Demiri. Policia arrestoi në korrik të këtij viti një grup që transportonin klandestinë, mes tyre ishte edhe Orion Bali.
Fillimisht gjykata e Pogradecit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Balin, por familjarët ndërhynë përmes avokatit Demiri dhe përmes 6 mijë eurove synuan ndryshimin e vendimit në Apelin e Korçës nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Pas kontakteve të para, SPAK vuri në përgjim personat e dyshuar duke zbuluar se në skemë ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Arben Cara. g.v/abcnews.al