Gjykata Kushtetuese anulon pavarësinë e Katalonjës

schedule20:02 - 8 Nëntor, 2017

schedule 20:02 - 8 Nëntor, 2017

Pavarësia e Katalonjës është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës. Ndërkohë, Madridi po shqyrton të bëjë ndryshime kushtetuese për të lejuar zhvillimin e referendumeve për pavarësi në vend.

Gjykata Kushtetuese e Spanjës anulloi shpalljen e njëanëshme të pavarësisë së Katalonjës. Bëhet fjalë për vendimin e parlamentit të Katalonjës, që u mor më 27 tetor, duke vënë në zbatim rezultatin e referendumit të 1 tetorit. Po ashtu, juria e kësaj gjykate vendosi të denoncojë për mosbindje ish-drejtuesen e parlamentit rajonal Karmen Forkadel dhe 2 ish-funksionarë të këtij institucioni.

Nga ana tjetër Spanja po merr në konsideratë të bëjë ndryshime kushtetuese që do t’i lejojë rajoneve të saj të mbajnë referendum për pavarësi në të ardhmen. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm Alfonso Dastis në një intervistë për BBC. Ai thotë se për ndryshimet kushtetuese do të mbahet një votë mbarëkombëtare në Spanjë. “Ne kemi krijuar një komision në parlament për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të kushtetutës për të qenë në gjendje për të trajtuar sa më mirë aspiratat e një pjesë të popullsisë katalanase”, tha Dastis.
Ndërkohë, disa akse rrugore dhe hekurudhore u bllokuan në Katalonjë për shkak të një greve të përgjithshme kundër shtypjes nga shteti spanjoll dhe për lirimin e të burgosurve politikë. Mijëra persona u vendosën në sheshin e pallatit presidencial në Barcelonë dhe kërkuan lirimin e 10 qytetarëve katalanas, mes të cilëve 8 ish-ministra, të cilët janë vendosur me urdhër gjykate në një burg në Madrid.

Përveç këtyre, gjykata e Spanjës lëshoi edhe një urdhër-arrest europian për presidentin e shkarkuar të Katalonjës, Karles Puçdemon dhe për 4 ish-ministra të tjerë, të cilët po qëndrojnë në Belgjikë. Ish-zyrtarët e rajonit autonom janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë belge. Seanca e parë kundër tyre do të mbahet me 17 nëntor. Për këtë çështje ka ndërhyrë edhe kryeministri i Belgjikës, Sharls Mishel. Duke folur në parlament, ai nënvizoi: “Puçdemon është qytetar europian, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, me të drejtat e tij dhe detyrimet, pa asnjë privilegj”. Sa i përket kërkesë për azil politik, Mishel tha se nuk është një çështje që i përket qeverisë.
Kjo situatë e ndërlikuar erdhi pas aplikimit të artikullit 155 të kushtetutës së Spanjës, që i lejoi Madridit të marrë kontrollin e plotë mbi rajonin autonom dhe të shpallë zgjedhje të parakohëshme me 21 dhjetor. Shpeshherë duke folur nga Brukseli, presidenti i shkarkuar i Katalonjës ka kërkuar bashkimin e të gjitha partive që mbështesin pavarësinë në një listë të vetme. Por kjo kërkesë nuk është arritur për shkak të mos dakordësisë mes forcave politike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!