Gjykata e Lartë italiane i ka dhënë të drejtë qeverisë së Giorgia Meloni, për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës për emigrantët.
Gjyqtari vendos për rastet individuale, efektivitetin e të drejtës themelore për lirinë personale, por i takon ministrit të punëve të jashtme dhe ministrive të tjera që kanë lidhje me çështjen, të thonë fjalën e fundit për rastet në tërësi.
Vendimi vjen pas ankesave të paraqitura nga qeveria kundër moskonfirmimeve fillestare për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, të dhëna nga seksioni i emigracionit të Gjykatës së Romës.
Gjykata e Lartë pranoi edhe kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe pezulloi të gjitha masat e dhëna deri më tani, në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
Meloni e kishte lajmëruar edhe më parë se Gjykata mund t’i jepte të drejtë qeverisë. Kryeministrja italiane nuk kishte pranuar të tërhiqej nga marrëveshja, pavarësisht sulmeve nga opozita e vendit të saj dhe faktit se Gjykata Europiane e Drejtësisë kishte krijuar pengesa. Aktualisht dy qendrat pritëse në Gjadër nuk kanë emigrantë, pasi kanë qenë në pritje të vendimeve të gjykatave.
/abcnews.al/