Gjykata e Tiranës rrëzon Bardhin/ Nuk pranon kërkesën për ta çregjistruar Bashën si kryetar të PD

schedule18:17 - 30 Prill, 2024

schedule 18:17 - 30 Prill, 2024

Lulzim Basha do të vijojë të qëndrojë kryetar i Partisë Demokratike, pavarësisht kërkesave për ta çregjistruar atë nga regjistri i partive politike. Këtë të martë, gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e Gazment Bardhit, për çregjistrimin e tij si kryetar, dërguar në gjykatë korrikun e vitit të shkuar.

Gjyqtari Gentjan Marku që shqyrtoi kërkesën e Bardhit apo të vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar që ai mblodhi para se të rizgjidhej Basha në krye të PD, më 29 korrik, tha se kjo palë nuk legjitimohet.

“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike nuk legjitimohet t’i drejtohet gjykatës me kërkesë sipas objektit sepse: Së pari, nuk gëzon legjitimitet procedural. Së dyti, edhe sikur të ishte në cilësinë e përfaqësuesit, dispozitat statutore të Partisë Demokratike nuk i kanë dhënë të drejtë përfaqësimi. Së treti, e theksoj, edhe në raport me gjykatën”, tha gjyqtari.

Më 28 korrik, grupi i Bardhit çoi në Gjykatë të Tiranës dy kërkesa, së pari çregjistrimin e Bashës si kryetar dhe së dyti vendimin e Këshillit Kombëtar që ai mblodhi, për të pezulluar si jo legjitime të gjitha vendimmarrjet e PD-së që lidheshin me rikthimin e Bashës në krye të PD-së. Këtë kërkesë të dytë, gjykata nuk e mori në shqyrtim, sipas të njëjtave argumente.

Lulzim Basha rezulton kryetar në regjistirn e partive politike bazuar në garën e 2021. Kjo është hera e fundit që gjykata e regjistroi si kryetar, në zgjedhjet që ai fitoi me mbi 80 për qind të votave në garën brenda partisë. Dorëhqjen e marsit të 2022 Basha e pati vetëm deklarative, me projektin e qartë siç duket, për tu rikthyer sërish.

Ndryshimet statutore të këtij rikthimi të katërt të tij, Gjykata e Tiranës, i ka pezulluar. Megjithatë ajo që do i jap fund çdo procesi mbi konfliktin mbi 3 vjeçare për PD-në nëpër gjykata do të marr fund kur do të flas Gjykata e Apelit, në momentin që do të shqyrtojë se kujt i përket vula dhe logoja e PD-së, Bashës apo Rithemelimit të Berishës./abcnews.al