Strasburgu vendos: Shkarkimi i Altina Xhoxhajt ishte i ligjshëm

schedule10:20 - 9 Shkurt, 2021

schedule 10:20 - 9 Shkurt, 2021

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka cilësuar si të ligjshëm shkarkimin nga detyra të anëtares së Gjykatës Kushtetuese nga sistemi i Drejtësisë për organeve të vettingut.

Vendimi erdhi pas Xhoxhaj ishte ankuar në gjykatë për shkarkimin e saj disa muaj më parë fillimisht nga KPK dhe më pas nga KPA.

Altina Xhoxhaj gjate seances ne KPK

Gjykata thekson se nuk ka konstatuar asnjë shkelje ligjore gjatë shqyrtimit të çështjes së Xhoxhajt nga KPK dhe KPA, prandaj edhe vendimi i tyre është ligjor dhe i drejtë.

Ndër të tjera, gjykata shprehet:

Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e
përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur
parimi i sigurisë juridike.

Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Kronika për shkarkimin e Xhoxhajt, maj 2018

Ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra në maj të vitit 2018 pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se ajo nuk justifikonte dot pasurinë e saj.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Xhoxhaj nuk justifikonte vlera monetare të shpenzuara për blerjen e një aparamenti në Tiranë, një banese dhe truallit ku ishte vendosur në Gjirin e Lalëzit. Në këto pasuri ajo zotëronte ½ e çdonjërës.

Vendimi

Xhoxhaj e apeloi vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por edhe ky organ la në fuqi vendimin e parë për të.

Pas vendimit të KPA-së, Xhoxhaj e çoi çështjen në Strasburg duke rezultuar në vendimin e sotëm.

Krahas Xhoxhajt janë një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarësh që kanë shpresë tek Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për rikthimin në detyrë pas shkarkimit prej organeve të vettingut në vend.

Prandaj, ky vendim ka mjaft rendësi për ecurinë e vettingut në Shqipëri pasi mund të konsiderohet si unifikues dhe të ndikojë në të gjitha çështjet e tjera të dërguar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Precedenti
Vendimi i sotëm i Strasburgut vjen pas atij të datës 1 dhjetor 2020 ku duket se prek në mënyrë të drejtpërdrejtë pikërisht gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga detyra prej vettingut.

Nisur nga një çështje gjyqësore mes një qytetari dhe shtetit të Islandës, Gjykata e Strasburgut vendosi që shtetet nuk kanë detyrimin për të rishikuar vendimet e dhëna nga trupat gjyqësore, të ngritura në mënyrë të paligjshme.

Sipas gjykatës, precedenti do të mund të përdoret nga ky vendim e më tej duke përjashtuar atë se çfarë ka ndodhur para 1 dhjetorit.

Çfarë ndodhi?

Vendimi i Strasburgut i datës 1 dhjetor 2020 lidhet me një ngjarje të vitit 2017 në Islandë, ku një 34 vjeçar, i quajtur Guðmundur Andri Ástráðsson u dënua nga gjykata lokale me akuzën e shkeljeve të rregullave të qarkullimit pasi u kap duke lëvizur me patentë të parinovuar si edhe nën efektin e drogës.

Disa muaj më vonë, 34-vjeçari e apeloi vendimin, por sërish gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e asaj të shkallës së parë. Por, këtu fillon gjithçka, e cila bëri që çështja të shkojë deri në Strasburg, shkruan abcnews.al.

I riu ankohet në Gjykatën Supreme me argumentin se njëra prej anëtarëve të trupit gjykues ishte zgjedhur në detyrë në mënyrë të paligjshme, rrjedhimisht sipas tij, ky vendim duhej zhbërë.

Në vitin 2017, Islanda kaloi nëpër një proces të riorganizimit të Sistemit të Drejtësisë, të ngjashmë me procesin e Vettingut në Shqipëri.

Sipas rregullave, për përcaktimin e trupës së Gjykatës së Apelit, ministrja e Drejtësisë duhej të merrte parasysh një listë prej 11 kandidatësh të miratuar nga Komisioni i Vlerësimit.

Por, në vendimin e saj, ministrja nuk u mjaftua me 11 kandidatët e miratuar prej Komisionit të Vlerësimit, por shtoi edhe 4 emra të tjerë. Mes gjyqtarëve të shtuar në listë ishte edhe gjyqtarja A.E. Kjo e fundit ishte vlerësuar në listën e poshtme nga Komisioni, megjithatë ministrja nuk e mori parasysh këtë vendim duke e emëruar atë në Gjykatën e Apelit.

Pikërisht ky fakt ishte argumenti i 34-vjeçarit për të zhbërë vendimin e Apelit në Islandë. Gjykata e vlerësoi të drejtë ankesën e tij duke dhënë një vendim të favor, i cili do të vlejë për rastet e mëpasshme duke filluar nga sot. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!