Gjykata e rrëzoi për riekspertimin financiar/ Mediu: Persekutim personal e familjar, si shkaktar i shpërthimit në Gërdec

schedule12:28 - 15 Maj, 2024

schedule 12:28 - 15 Maj, 2024

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas përfundimit të seancën gjyqësore në SPAK, tha se prej 16 vitesh vazhdon të persekutohet për çështjen “Gërdeci”.

Ai theksoi se është provuar me prova e shkresa, se ministri në atë kohë nuk ka lidhje me shpërthimin dhe pasojat e tij.

“Sot u pa qartë se prej 16 vjetësh, vazhdon një persekutim sa personal dhe familjar në kundërshtim me ligjin në qëndrime dhe deklarime politike se Fatmir Mediu ka qenë shkaktari që shpërtheu Gërdeci dhe sipas akuzës unë duhet të dija se ku ishte Gërdeci, çfarë bënin ushtarakët, kush ishin rojet, kush ishin punëtoret dhe si bëhej demontimi, sa ishin distancat dhe kështu me radhë. Dhashë dorëheqjen për drejtësinë dhe jo për interesa personale. Është provuar se ministri nuk ka lidhje me shpërthimin dhe gjithë pasojat e shpërthimit dhe këtë e ka bërë të qartë gjykata. Ministri akuzohet për shpërdorim detyre. Nuk është provuar asnjë dashje nga asnjë dëshmitar apo provë. Nuk është provuar asnjë dëm ekonomik për shkak të veprimit të ministrit të Mbrojtjes”, tha ish-ministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, ai po përdoret për “kokë turku” dhe po i bëhet gjyq politik.

“Duan gjyq politik dhe koka turku. Kjo çështje është gjykuar. Kjo që kërkon SPAK në akuzë, ndodh vetëm në juntat ushtarake”, tha ai.

Në seancën e të mërkurës, Mediu dhe avokatët mbrojtës kërkuan akt të ri ekspertimi për dëmin ekonomik që u shkaktua në fabrikën e demontimi të armëve në Gërdec, por trupa gjyqësore hodhi poshtë kërkesën e ish-ministrit.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që seanca e radhës të mbahet më 29 maj, ndërsa do pyeten 5 ekspertët që kanë përllogaritur dëmin ekonomik./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!