Gjykata e Posaçme shpall vendimin për Arbër Çekaj, avokati: Gjykata, me standarde të dyfishta

schedule18:44 - 15 Shtator, 2020

schedule 18:44 - 15 Shtator, 2020

Avokati i Arbër Çekaj, Maksi Haxhia në një komunikim për mediat tha se vendimi ishte me standarde të dyfishta. Haxhia, u shpreh kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për dënimin me 21 vite burg ndaj klientit të tij.

“Nuk është pranuar asnjë kërkesë nga ana jonë. Kjo Gjykatë vepron me disa standarde, është një proces qesharak”, tha ai.

Lexo edhe: E FUNDIT/ Dënohet me 14 vite burg Arbër Çekaj

Gjithashtu ai shtoi se Gjykata nuk kishte asnjë provë.

“Për çudi kjo gjykatë na tregoi vendimin për moslejimin e mediave, ndërsa kur dha vendimin i futi mediat. Është proces komik. Ju siguroj se çdo jurist, do të skandalizohet me këtë vendim sepse nuk kishte asnjë provë që të favorizonte akuzën. Kjo gjykatë, nuk them dot as e Ballshit, se kam respekt për vendlindjen time.

Nuk kishte provë. Është shumë e thjeshtë.Gjyqtarja ka kandiduar për në Apel, karriera e tyre është në prioritet. I thashë që unë s’jam Zoti që të them e ka bërë apo jo Arbër Çekaj, por di të them që nuk ka prova. Prandaj jam i irrituar se nuk u la media në seancë”, tha ai.

Sot u zhvillua seanca në GKKO, ku Çekaj mohoi edhe njëherë përfshirjen e tij në ngjarjen e 2018, kur brenda një kontejneri bananesh u gjetën 613 kg kokainë të ardhura nga Kolumbia, që kaloi nga Italia, në Portin e Durrësit dhe më pas në magazinën e Çekajt.

Ai nuk u gjet fillimisht në Shqipëri, pasi fshihej në Gjermani, teksa më pas iu dorëzua autoriteteve për të vijuar një kalvar seancash që në fund e shpallën fajtor. Ai dënohet me 21 vite burg, por përfiton ulje pasi Gjykata më parë ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe tashmë do të vuajë 14 vite.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!