Gjykata e Posaçme liron nga sekuestroja dhe i kthen automjetin e blinduar BMW të Lulzim Berishës.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ka rezultuar se dokumentacioni i blindit është i rregullt, e drejta e përdorimit është dhënë nga policia në vitin 2019, dhe se blerja e tij është kryer nëpërmjet transaksionit bankar.
Përveç mjetit të blinduar, Berishës i janë kthyer edhe licencat e biznesit për aksionet që zotëron në kompaninë “RAJAN”, që merret me furnizimin me karburant të anijeve të peshkimit, biznes të cilin e ka në bashkëpronësi me motrën e tij, Luljeta Berisha dhe me Enkelejda Shoshi.
Siç raporton gazetari Leonidha Musaj për abcnews.al, makina e blinduar e Berishës u sekuestrua nga SPAK në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL) më 4 shkurt të këtij viti.
Vendimi për sekuestrimin e automjetit të blinduar të Berishës, u kundërshtua nga avokati Detar Hysi, i cili deklaroi se të ardhurat për blerjen e sendit janë të deklaruara, dhe njoftoi se do të ankimonte vendimin.
LEXO edhe: Gjykata Speciale sekuestron “BMW” e blinduar të Lulzim Berishës
Bashkë me formularin, avokati mbrojtës i Berishës, dorëzoi edhe një dokument të lëshuar nga kadastra e Durrësit, ku rezultonte se Berisha nuk kishte asnjë pronë të regjistruar pranë zyrës shtetërore.
Lul Berisha, një nga emrat më të përfolur të botës shqiptare të krimit, u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit të Durrësit.
I cilësuar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, ai rifitoi lirinë, pasi sipas avokatit mbrojtës ai vuante nga një sëmundje e rëndë.
Berisha u ndalua në vitin 2006 në Maqedoni dhe ndaj tij kanë rënduar akuzat për disa vrasje gjatë viteve 1998-2000.
I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, reduktuar më pas me 25 vjet heqje lirie, Lulzim Berisha, 5 vitet e mbetura nga dënimi do ti kalojë në “liri me kusht”.
n.d./abcnews.al