Hetimi i 21 janarit/ Zbardhet vendimi i GjL: Zinxhiri komandues dhe djegia e serverit

schedule16:08 - 5 Korrik, 2024

schedule 16:08 - 5 Korrik, 2024

Kur kanë kaluar dy muaj nga vendimi i gjykatës së lartë që urdhëroi SPAK të hetojë për vrasjet e 21 janarit, tashmë vendimi është zbardhur dhe i ka kaluar SPAK për të vijuar hetime të mëtejshme. Familjarët e viktimave të 21 janarit i kërkuan gjykatës së lartë që hetimet për zbardhjen e vrasjeve të të afërmve të tyre te ndiqen nga SPAK me argumentin se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë të kohës përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e brendshëm Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës së Republikës.

“Një nga të drejtat e viktimës është të kërkojë ndjekjen penale të fajtorit. Kjo e drejtë e viktimës së veprës penale lidhet me të drejtën e saj për të kërkuar që nga ana e organit të akuzës të ushtrohet ndjekja penale në rastet kur vepra ndiqet kryesisht ose me të drejtën e saj për të kërkuar ushtrimin e ndjekjes penale. “

Po kështu gjykata e lartë argumenton në vendim se autoritetet shtetërorë kanë dështuar në zbardhjen e vrasjes së 4 qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës së mbajtur në atë kohë nga opozita. Referuar edhe vendimit të gjykatës europaine të të drejtave të njeriut, rezulton se nuk është zbardhur roli i zinxhirit komandues të gardës, por përgjegjësia është përqendruar vetëm tek oficerë të gardës.

“Gjykata evidentoi mangësi specifike në hetimin për vdekjen e të afërmve të kërkuesve dhe konkludoi se autoritetet kanë dështuar për kryerjen e një hetimi efektiv për ngjarjen, i cili duhet të çonte në zbulimin e të vërtetës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve. Gjithashtu, GJEDNJ konstatoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.”

Në vendimin e zbardhur thuhet se, janë evidentuar një sërë mangësish gjatë hetimit përfshi edhe fshirjen e pamjeve filmike të rregjistruara në godinën e kryeministrisë ditën e ngjarjes.

“Kishte pasur gjithashtu edhe një sërë mangësish të tjera në hetim duke përfshirë fshirjen e video-regjistrimeve të incidentit dhe mos-ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë. Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim.”

Në fund gjykata e lartë urdhëroi prokurorinë e posaçme që të regjistrojë procedim penal dhe të vijojë hetimet për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit.

Vendimet e gjykatave të posaçme duhet të ndryshohen, duke u urdhëruar Prokuroria e Posaçme për të regjistruar procedimin penal, për kallëzimin e datës 16.02.2023, me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!