Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mbrojti të drejtën për abort në një vendim të rëndësishëm të hënën, kur rrëzoi një ligj të shtetit të Luizianës, që parashikonte kufizime ndaj mjekëve që kryejnë këtë procedurë.
Kryetari i Gjykatës John Roberts votoi me krahun liberal të anëtarëve të gjykatës, duke sjellë si rezultat fitoren me pesë voat pro dhe katër kundër.
Ligji kërkonte që mjekët që kryejnë aborte të kishin marrëdhënie pune me një spital, jo më larg se 48 kilometra nga klinika ku kryenin procedurën e abortit. Kjo marrëdhënie ishte shpesh here e vështirë për t’u realizuar zyrtarisht.
Dy nga tre klinikat që kryejnë aborte në Luiziana, një shtet me rreth 4.6 milionë banorë, do të ishin detyruar të mbylleshin, nëse ligji do të hynte në fuqi, sipas avokatëve të Grupit Mjekësor “Hope”.
Administrata e Presidentit Donald Trump kishte mbështetur shtetin e Luizianës në këtë çështje. Aktivistët kundër abortit kishin shpresuar që Gjykata e Lartë që është e ndarë në pesë gjyqtarë konservatorë dhe katër liberalë, do të ishte në favor të kufizimeve për abortin, si ato të shtetit të Luizianës dhe shteteve të tjera.
Në vitin 2016, gjykata hodhi poshtë një sfidë të ngjashme të mbështetur nga republikanët në Teksas. Gjykatësi Breyer shkruajti në argumentimin e tij se të dyja ligjet janë “pothuajse identike, çka do të thotë që gjykata duhet të marrë të njëjtin vendim.
Kryetari konservator i Gjykatës, Roberts votoi kundër në rastin e vitit 2016, por tha se do të votonte në krah të liberalëve, bazuar tek tradita e Gjykatës për të respektuar precedentët.
Por ai la të kuptohet se në raste të ardhshme mund të votojë në favor të kufizimeve për abortin, duke vënë në dukje se kishte disa pikëpyetje për argumentat kundër ligjit në Teksas./abcnews.al