Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka reaguar pasi Presidenti Ilir Meta dekretoi ditën e sotme gjyqtarin Sokol Ngresi si anëtar të Gjykatës së Lartë duke e bërë kështu me 13 anëtarë nga 19 anëtarë që duhet të ketë në total.
Përmes një postimi në rrjete sociale Kim e ka cilësuar plotësimin e Gjykatës së Lartë me 13 anëtarë si një hap të madh përpara për reformën në drejtësi.
“Hap i madh përpara për reformën në drejtësi: Gjyqtari i 13-të i Gjykatës së Lartë u dekretua sot, duke i dhënë mundësi dhomave të bashkuara të arrijnë përfundimisht kuorumin pas 5 vitesh. Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë tani është në gjendje të kryejë të gjitha funksionet, të shqyrtojë më shumë raste dhe të ndryshojë ligjet gjyqësore në mënyrë racionale.
Ky hap i madh është falë bashkëpunimit të mirë mes institucioneve të drejtësisë dhe Presidencës. Shpresojmë që kjo të vazhdojë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por përfundimisht po ecën përpara dhe po prodhon rezultate reale”, shkruan Kim në Twitter.
Lexo edhe: Meta dekreton emërimin e Sokol Ngresit, Gjykata e Lartë bëhet me 13 gjyqtarë
Me emërimin e gjyqtarit Sokol Ngresi plotësohet kuorumi për tu mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara. Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore.
Kështu që Gjykata e Lartë rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë.
/abcnews.al