Gjykata e Lartë hedh poshtë padinë ndaj ligjit të kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Obama

schedule18:30 - 17 Qershor, 2021

schedule 18:30 - 17 Qershor, 2021

Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë një sfidë ndaj ligjit të kujdesit shëndetësor të miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Obama, duke mbrojtur sigurimet shëndetësore për miliona amerikanë.

Anëtarët e gjykatës, me një votim 7-2, lanë të paprekur ligjin të enjten duke vendosur se Teksasi, shtetet e tjera të qeverisura nga republikanët dhe dy individë nuk kishin të drejtë të dërgonin padinë e tyre në gjykatën federale.

Dispozitat kryesore të ligjit përfshijnë mbrojtje për njerëzit me probleme shëndetësore paraprake, një sërë shërbimesh shëndetësore parandaluese pa kosto dhe zgjerimin e programit Medicaid që ofron sigurime shëndetësore për njerëzit me të ardhura më të ulëta, përfshirë ata që punojnë në punë me paga të ulta dhe që punëdhënësit e tyre nuk ofrojnë sigurime shëndetësore.

Vendimi gjithashtu la në fuqi dispozitën tani të pafuqishme të ligjit që e bëri të detyrueshëm posedimin e sigurimit shëndetësor dhe parashikonte gjoba për njërëzit pa sigurim shëndetësor. Në vitin 2017, Kongresi e shfuqizoi këtë dispozitë, duke e ulur në zero dënimin për personat pa sigurim shëndetësor.

Eliminimi i gjobës ishte shkaku që Teksasi dhe shtetet e tjera të drejtuara nga republikanët, si dhe administrata e ish-presidentit Trump, përdorën për të sulmuar të gjithë ligjin. Ata argumentuan se në mungesë të këtij mandati, që ishte një nga shtyllat e ligjit kur u miratua në 2010, edhe pjesa tjetër e ligjit duhet të bjerë.

Me një Gjykatë të Lartë më konservatore që përfshin tre anëtarë të emëruar nga ish-presidenti Trump, kundërshtarët e ligjit të ashtuquajtur “Obamacare” shpresuan se shumica e gjyqtarëve më në fund do të rrëzonin ligjin ndaj të cilit kanë luftuar për më shumë se një dekadë.

Por sulmi i tretë i madh ndaj ligjit në Gjykatën e Lartë përfundoi ashtu si dy nismat e mëparshme, me shumicën e gjykatës që kundërshtoi përpjekjet për të cunguar ligjin ose për ta shfuqizuar tërësisht atë.

Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, të emëruar nga ish-presidenti Trump, gjykatësit Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, ndanë votat e tyre. Kavanaugh dhe Barrett u bashkuan me shumicën. Gorsuch ishte kundër ligjit, duke dhënë nënshkrimin për opinionin e pakicës të hartuar nga gjykatësi Samuel Alito./VOA