Gjykata e Lartë e Kolorados përjashton Trump nga zgjedhjet paraprake shtetërore

schedule07:12 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 07:12 - 20 Dhjetor, 2023

Goditje e rëndë për Donald Trump përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Gjykata e Lartë e Kolorados mori të martën vendimin për të përjashtuar ish presidentin amerikan nga votimi në zgjedhjet paraprake republikane në shtet për shkak të rolit të tij në sulmin në Capitol Hill më 6 janar 2021.

Trump bëhet kandidati i parë presidencial që shpallet i papërshtatshëm bazuar në paragrafin 3 të Amendamentit të 14-të, i cili përjashton nga postet publike zyrtarët e përfshirë në “kryengritje ose revoltë” kundër qeverisë. Vendimi zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake republikane në Kolorado, më 5 mars.

Avokatët e Donald Trump kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin në Gjykatën e Lartë të SHBA. “Gjykata e Lartë e Kolorados nxori një vendim krejtësisht të gabuar dhe ne do të apelojmë shpejt në Gjykatën e Lartë të SHBA dhe do të kërkojmë pezullimin e këtij vendimi thellësisht jodemokratik”, thanë avokatët e Trump.

Gjykata e Lartë pezulloi vendimin e saj deri më 4 janar, ose derisa Gjykata e Lartë e SHBA të vendosë për çështjen dhe nëse Trump ka të drejtë të shërbejë një mandat tjetër si president. Zyrtarët e Kolorados thonë se çështja duhet të zgjidhet deri më 5 janar, afati i fundit që shteti të shtypë fletëvotimet presidenciale.

“Ne jemi të vetëdijshëm për shtrirjen dhe peshën e pyetjeve me të cilat përballemi. Ne jemi po aq të vetëdijshëm për detyrën tonë solemne për të zbatuar ligjin, pa frikë apo favore, dhe pa u ndikuar nga reagimi i publikut ndaj vendimeve që ligji na kërkon të marrim.”, thanë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados.

Çfarë është amendamenti që përjashton Trump nga zgjedhjet paraprake në Kolorado?

Amendamenti i 14-të u miratua në 1868, pas Luftës Civile Amerikane. Trajton të drejtat e qytetarisë dhe mbrojtjen e barabartë të ligjeve. Por seksioni tre i amendamentit thotë se zyrtarët publikë të betuar se do të respektojnë Kushtetutën u ndalohet nga posti i ardhshëm nëse përfshihen në një “kryengritje” ose “trazira”.

Formulimi konsiderohet i paqartë dhe nuk përmend në mënyrë eksplicite presidencën. Ai është aplikuar vetëm dy herë që nga viti 1919. Seksioni i tretë u prezantua për të parandaluar çdo zyrtar civil ose ushtarak që kishte shërbyer në Shtetet e Bashkuara përpara Luftës Civile të rifitonte postet publike nëse ai ose ajo kishte tradhtuar vendin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!