Gjykata e Korçës ka lënë në arrest me burg Enedio Gurin, 14-vjeçarin që vrau me thikë në zemër bashkëmoshatarin e tij Erald Xhejo, pas një sherri të ndodhur në fshatin Pirg në Maliq.
Në qeli janë lënë edhe babai i autorit të dyshuar, Edison Guri dhe xhaxhai Roland Guri.
Ndërsa për katër të miturit e tjerë është lënë masa “detyrim paraqitje” nën mbikëqyrjen e prindërve.
ABC News mëson se autori gjatë seancës mes lotësh ka shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë, duke thënë se nuk donte që të ndodhte një situatë e tillë dhe se ishte një sherr i çastit.
“Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte grindje e çastit. Jam shumë i penduar, ngushëllime për familjen”, mësohet të ketë thënë 14-vjeçari mes lotësh.
Ndërsa avokati i autorit të ngjarjes në një deklaratë për mediat theksoi: “Shpreh ngushëllimet për humbjen e familjarëve. Gjykata vendosi që për autorin të caktojë masën “arrest në burg”. Kjo pasojë e krijuar nga konflikt i çastit, edhe pse fëmijë, gjykata vlerësoi të vlefshëm arrestin, edhe për babain Edison Guri, po ashtu edhe për xhaxhain. Të miturit e tjerë, gjykata vendosi jo të ligjshëm arrestimin, por vendosi mbikëqyrjen nga prindërit dhe paraqitjen para gjykatës. Autori shprehu pendesë. Tha nuk doja të kishte këtë pasojë, se dija që veprimet e mia do krijonin këtë pasojë, shpreh ngushëllimet për familjen. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe babai i të miturit duke thënë se na vjen keq për pasojën.”
/abcnews.al/

