Gjykata e Gjilanit ka caktuar masën e sigurisë prej 30 ditësh paraburgim për Rinor Hykollin, menaxherin e reperes së njohur Tayna. Ndaj tij rëndon akuza e lëndimit të rëndë trupor. Rinori u ndalua nga policia ditën e djeshme pas një konflikti të ndodhur pak javë më parë në një klub në Gjilan.
Sipas autoriteteve në Kosovë, Hykolli dyshohet se në bashkëpunim me të pandehurin Sh.Xh., pas një mosmarrëveshje kanë rrahur shtetasin L.B., duke i shkaktuar dëmtime në trup. Lidhur me këtë ngjarje, ende nuk ka një reagim nga Tayna.
“Caktohet masa e sigurisë ndaj të pandehurit R. H. Gjilan, 05.10.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit R.H.
Ekziston dyshimi se me datë 22 korrik në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.Xh, në diskotekën ‘’Stop’’ në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshje i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L. B, në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.“, njofton gjykata.
/abcnews.al