Gjonaj reagon për tenderat nën hetim

schedule13:11 - 8 Shkurt, 2019

schedule 13:11 - 8 Shkurt, 2019

Drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë ata zyrtarë që dyshohet të jenë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore në Ministrinë e Drejtësisë gjatë viteve të kaluara. Garancinë e dha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Procedurat e tenderimeve në Ministrinë e Drejtësisë për vitet 2016 dhe 2017 kanë qenë abuzime që pas hetimit të prokurorisë u bënë shkak për arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë. Unë jam e vendosur të mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe inkurajoj atë të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën”.

Çdo sulm që i bëhet numrit një të ministrisë është sulm ndaj drejtësisë tha ministrja Etilda Gjonaj.

“Në përgjigje të këtij sulmi, që me siguri nuk do të ndalet, unë i bëj thirrje organeve të drejtësisë të mos ndalen dhe të kryejnë hetimin për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kryer shkelje dhe dëmin ekonomik që i kanë sjellë buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë. Kush ka përgjegjësi ta mbajë atë sipas ligjit”.

Ministrja Gjonaj i kërkon prokurorisë të mos intimidohen nga sulmet dhe kërcënimet e kujtdo që tenton të pengojë zbatimin e ligjit.

“Procedurat e tenderimeve të kryera dhe procedura e tenderimit të byzylykëve, që tashmë është kthyer në një gangrenë edhe për zbatimin e saj në Ministrinë e Drejtësisë duhen zbardhur deri në fund. Dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësinë e tyre”.

Ministrja Gjonaj deklaroi se drejtësia nuk duhet të jetë selektive por të gjithë duhet të përgjigjen njësoj përpara ligjit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!