Besëlidhja e tronditi Partizanin. Ajo humbje 3-0 në Kupë i mërziti të gjithë në kampin e kuq, ndërkohë që presidenti Gazment Demi bëri edhe një mbledhje urgjente me ekipin dhe stafin teknik. Gjobat ishin të pritshme dhe të gjithëve ju komunikua penaliteti financiar.
Sipas të përditshmes sportive, “Panorama Sport”, një pagë mujore do u mbahet të gjithëve. Gjithsesi lojtarët kanë në dorë ta shpëtojnë veten dhe të gjithë ata që janë gjobitur. Për këtë duhet të mposhtin Besëlidhjen në ndeshjen e kthimit.
Në fakt nuk mjafton vetëm kjo, pasi duhet një fitore me katër gola. Kualifikimi në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të thotë një tjetër derbi, që përkthehet në miliona para të arkëtuara nga shitja e biletave.
Krahas kualifikimit në Kupë, presidenti Gaz Demi pret edhe rezultate të tjera pozitive në kampionat, që t’ua falë gjobën futbollistëve. Muaji shkurt është në dispozicion të tyre për të sjellë ndryshimin e kursit të rezultateve të Partizanit.
LEXO EDHE: Çështja Mala, si presidenti Gaz Demi arriti në vendimin ekstrem
MALA – Mesfushori është dënuar të stërvitet me ekipin e dytë, për shkak se nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me Partizanin. Vetë presidenti Demi ka vendosur “veton” dhe e ka thënë publikisht diçka të tillë.
Tanimë në kampin e kuq ka dilema për aktivizimin e mesfushorit me Partizanin B. Kategoria e Dytë nis së shpejti dhe Mala do donte shumë të luante deri në fund të sezonit, por janë drejtuesit e klubit ata që vendosin. / abcnews.al