Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar me 16 vota pro dhe 1 kundër (Korab Lita) dekretin e kthyer nga presidenti Ilir Meta për marrjen e masave administrative ndaj mediave gjatë periudhës së pandemisë.
Këshilltari i presidentit për çështjet ligjore Bledar Dervishaj u shpreh se presidenti ka gjetur disa problematika në ndëshkimin me masë administrative në rast të shkeljes së kësaj distance.
Por zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u shpreh se kjo masë është e nevojshme për shkak se parësore në këtë rast është ruajtja e jetës dhe shëndetit.
Bledar Dervishaj: Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar lkigjin për aktin normativ që ndryshon aktin normativ të 15 marsit për marrjen e masave admministrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së pandemisë.
Ky ligj i është dërguar presidentit i cili ka bërë vlerësimin e këtij ligji.
Akti normativ ka për qëllim heqjen e ndalesës në studio për të mos ftuar më shumë se një person shoqëruar edhe me marrjen e masave administrative.
Nga vlerësimi që presidenti ka bërë, ka kosntatuar se akti normatib ka qëllime pozitive por në pikën 1 paraqet problematika, lidhur me marrjen e masave administrative.
Mira Rakacolli: Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar me kujdes materialin nga presidenca dhe do doja të theksoja se në vëmendje ka qenë ruajtja e të drejtave themelore të njeriut. Dhe e drejta themelore është ajo e sigurimit të shëndetit.
Në kushtet kur e drejta e informimit të publikut është me rëndësi, por pikërisht për këtë duhet siguruar jeta dhe shëndeti e atyre që informojnë publikun. Një nga mënyrat më të shpejta për të marrë virusin është kur je pa distancë.
Nëse ky ndryshim nuk bëhet dëmi do jetë i madh. Një njeri që vjen të japë informim mund të sëmuret vetë dhe të shkojë deri në humbje jete. Ndaj është parashikuar masa në atë përmasë nga gjobë 1 mln lekë deri në pezullim apo mbyllje të aktivitetit.
Ulsi Manja: Kontaktet dhe spërklat kur njeriu nuk ruan distancë përhapin sëmundjen. Ne duhet ta rrëzojmë dekretin e presidentit të Republikës.
Meta ktheu në Kuvend ligjin për distancat në studio, duke deklaruar se ai përkrah masat që ndihmojnë në përballimin e pasojave të pandemisë por nuk do të dekretojë asnjë ligj që cenon lirinë dhe pavarësinë e medias.
Në shpjegimin që i bënte kthimit të ligjit, kreu i shtetit thekson se detyrimi i televizioneve për të ftuar jo më shumë se dy persona në studio (përndryshe gjobiten me 1 mln lekë) është joproporcionale në raport me rrezikun dhe shkel të drejtën e informimit./abcnews.al