“Shkel të drejtën e informimit”: Meta kthen mbrapsht gjobat për televizonet

schedule14:10 - 13 Korrik, 2020

schedule 14:10 - 13 Korrik, 2020

Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht ndryshimet e miratuara nga qeveria në aktin normativ në lidhje me masat kundër koronavirusit.

Në shpjegimin e tij, Meta fokusohet tek detyrimi i televizioneve për të ftuar jo më shumë se dy persona në studio dhe nëse ky rregull thyhet, atëhere gjobiten me 1 milion lekë.

Meta thekson se kjo masë administrative është joproporcionale në raport me rrezikun dhe për më tepër, Presidenti e cilëson atë si shkelje të të drejtës së informimit.

“Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës”, shpjegon Meta.

Njoftimi i plotë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.

Ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ nr.20, datë 20.05.2020, të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt.

Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës.