Nga Erneta Shevroja
Rregullat anti covid dhe gjobat duket se janë vetëm për qytetarët, e jo për zyrtarët që i shkelin ato që i miratojnë me të dyja këmbët. Pavarësisht masave ndaluese prej pandemisë, partitë, të mëdha e të vogla, kanë nisur fushatën dhe takimet janë më intensive sa më shumë afrohet data 25 prill.
I tillë ishte dhe ky takim ku e pranishme ishte Mira Rakacolli, që është në krye të strukturës që cakon ndalimet për qytetarët për mospërhapjen e covidit.
Kjo fotografi është në një takim të shtabit elektoral të PS-së në njësinë numër 1 në Tiranë, ku Rakacolli jo vetëm që nuk duhet të ishte e pranishme por duhet të merrte masa për shkak të ndalimeve në fuqi.
Fotografia ishte shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale të deputetes socialiste Elona Gjebrea. Më vonë u hoq por tashmë ishte e pikasur nga mediat.
Këto nuk janë të vetmet pamje me grumbullime masive, mbi 10 veta, në ambiente të mbyllura dhe të ngushta.
Në faqet e rrjeteve sociale të partive dhe të politikanëve, nga të gjithë krahët këto takime ku nuk zbatohet asnjë masë janë zakonshme.
Si ky rasti, të një mbledhje shtabi të PD-së së Durrësit apo Elbasanit, ku jo vetëm mungon distanca minimale mes të pranishmëve por askush nuk mban as maskën.
Injorim të rregullave vihen re edhe në takimet e Monika Kryemadhit, që e nis pothuajse çdo ditë me një takim me grupe të ndryshime. E njëjta panoramë është edhe për takimet e tjera të LSI-së. E njëjta gjë vihet re edhe në mbledhjet e strukturave të PR-së, që nuk ka ndaluar as edhe një ditë në pothuajse të gjithë vendin.
Këto pamje shpërndahen në një kohë që qindra qytetarë gjobiten nëpër rrugët e vendit, pasi pikasen në numër të lartë në automjete apo qarkullojnë ma maskën që është bërë me detyrim. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë gjobitur 500 qytetarë, që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19./mv.abcnews.al