Gjoba “marramendëse”/ Nga Ksamili në Vlorë, Policia Kufitare bllokon 14 mjete lundruese

schedule13:52 - 30 Korrik, 2023

schedule 13:52 - 30 Korrik, 2023

Policia Kufitare e Vlorës po vijon me kontrollet e shtuara për mjetet lundruese. Mësohet se së fundmi, nga Ksamili në Vlorë janë bllokuuar 14 mjete lundruese, mes tyre skafe, gomone dhe Jet Ski.

Sakaq, drejtuesit e mjeteve janë gjobitur me masa administrative ‘marramendëse’, duke mbrojtur kështu sigurinë e pushuesve.

Njoftimi i Policisë:

Policia Kufitare e Vlorës/ Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe Njësisë Policore Detare, për sigurinë e pushuesve.

Masa të shtuara kontrolli për mjetet lundruese, për ato që cenojnë perimetrin e sigurisë ujore duke rrezikuar jetën e plazhistëve, të atyre që transportojnë persona mbi kapacitetin e lejuar apo që lundrojnë në det dhe kryejnë aktivitetin e argëtimit me mjete lundruese Jet Ski të papajisur me dokumentacion.

Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë, grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

  • Nga Ksamili në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar 14 mjete lundruese.
  • Mjetet e bllokuara: 5 Jet Ski, 3 gomone dhe 6 skafe.
  • 6 mjete lundruese, nga të cilat 2 Jet Ski, 3 gomone dhe 1 skaf, u bllokuan në Ksamil, Dhërmi, Jalë dhe Vlorë. Krahas masës së bllokimit, pronarët e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e plazhistëve.
  • Drejtuesi i 1 mjeti lundrues skaf është ndëshkuar me masën 200 000 lekë të rinj, ndërsa drejtuesi i 1 tjetër mjeti lundrues skaf është ndëshkuar me masën 80 000 lekë të rinj, për shkelje të perimetrit të sigurisë dhe transport të qytetarëve mbi kapacitetin e lejuar.
  • 6 mjete të tjera lundruese, nga të cilat 3 Jet Ski dhe 3 skafe, u bllokuan dhe secili nga pronarët e mjeteve lundruese u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni.
  • Po si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, vetëm gjatë muajit korrik, ka bllokuar 81 mjete lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme dhe në cenim të sigurisë së plazhistëve, si dhe ka ndëshkuar pronarët e tyre, me masa administrative, sipas ligjit, për shkeljet e konstatuara.

Nga këto, 7 masa administrative janë vendosur në bazë të ligjit Nr. 43 të vitit 2020 “Për turizimin detar”, neni 24, germa ç “Ushtrimi i veprimtarisë së operatorit detar të turizimit pa licencë, certifikatën përkatëse sipas nenit 5 të këtij ligji”, me vlerë totale 700 000 lekë.

Sqarojmë se bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe në bashkëpunim me institucionet Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit Tiranë, jane ushtruar kontrolle për operatoret të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe nuk disponojnë certifikimin përkatës të mësipërm si operator i turizmit detar, pasi ata nuk duhet të lejohen nga strukturat e Policisë Kufitare të ushtrojë veprimtari pa përmbushur detyrimet ligjore, duke bërë në këtë mënyrë dhe ndarjen me qytetarët që kanë një mjet lundrues për përdorim personal për qëllime turizmi dhe që lejohet të lundrojnë në zonën ujore, por pa prekur zonën e notimit.

Për t’iu ardhur në ndihmë këtyre subjekteve, Policia Kufitare dhe Migracionit ka marrë kontakt me pronarët dhe administratorët, të cilëve iu është sqaruar kuadri ligjor që rregullon zhvillimin e aktivitetit të turizimit detar.

Policia Kufitare dhe Migracionit është e vendosur për të kontrolluar subjektet që ushtrojnë aktivitetin në hapësirën detare, për të transportuar pushues/turistë në vendet e atraksionet turistike detare, si dhe për të ndëshkuar subjektet që nuk janë certifikuar si operatorë turistik detar, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe në përmbushje të detyrës së saj nuk do të stepet nga presionet në forma të ndryshme të pronarëve të mjeteve lundruese që janë konstatuar në paligjshmëri dhe janë ndëshkuar sipas ligjit.

Sjellim në vëmendje për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese, të jenë të pajisur me dokumentacionin përkatës, si dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Gjithashtu, ftojmë qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!