Burgu ku do ta kalojë Tahiri natën e parë në qeli, GJKKO e dënoi me 3.4 vite

schedule17:20 - 4 Shkurt, 2022

schedule 17:20 - 4 Shkurt, 2022

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua pak më parë me 3.4 vite burg. Pas një kalvari seancash gjyqësore Apeli i GJKKO ka dënuar Tahirin me 5 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ai do të vuaj 3.4 vite.

 

Gjatë leximit të vendimit gjyqtari tha se provat e ofruara nga prokuroria konfirmojnë lidhjen e tij me grupin e Habilajve, i cili u mor me transportin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Pas shpalljes së vendimit, ish-ministri do të shoqërohet në qeli. Ministria e Drejtësisë tha se ish-ministri do të dërgohet në burgun nr.313 në Rr.Jordan Misja në Tiranë.

“Për shkak të kompleksitetit iu desh një kohë më e gjatë, gjykata vendosi pasi dëgjoi palët, lënien në fuqi të gjykatë së shkallës së parë burg për Saimir Tahirin me 3.4 vite burg”, tha gjykata.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

1.Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 04.02.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi për çështjen me nr. 47 regjistri themeltar, datë 24.11.2021 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç, ku kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:
-Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. S.T.
-Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin z. S.T. fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Gjykata parashtron këto argumente për Saimir Tahirin:

1.Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.

2. Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.

3. Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese

4. Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.

5. Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.

6. Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficenses të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.

7. Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit

8. Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës

Menjëherë pas shpalljes së vendimit të formës së prerë, Tahiri duhet të shoqërohet që sot nga policia në një burg të sigurisë së ulët. Ish-ministri i Brendshëm e priti me buzëqeshje vendimin e gjykatës duke shkëmbyer batuta me avokatin e tij Maks Haxhia.

Lexo edhe: Dosja e drogës, flet ish-shoqëruesi i Tahirit: Punoj në ndërtim, do të dorëzohem, nuk kam frikë

Ndërkohë që pritet firmosja e vendimit dhe ekzekutimi i tij nga policia, Tahirit i është lejuar të bëjë vetëm një telefonatë dhe më pas do të dërgohet me makinë policie në burg.

Tahiri një vit më parë është dënuar 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkoi 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Prokuroria e akuzoi Tahirin se në kohën kur ishte ministër i brendshëm bashkë me ish- drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn.

Tahiri mund të bëjë nga nesër rekurs në Gjykatën e Lartë, por sot i duhet të shoqërohet në paraburgim. /abcnews.al