Ish-sulmuesi i Milanit, Andriy Shevchenko, është rikthyer të flasë për kuqezinjtë. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ai përgëzon Maldinin për punën e bërë si dhe e pranon se gjërat po shkojnë mirë për milanezët. Gjithashtu, Sheva ndalet dhe tek ecuaria e tyre në Europë, ku nuk e fsheh faktin se janë favoritë për të kaluar në turin tjetër të Europa League.
“Maldini ka bërë një punë të shkëlqyer, ashtu siç po bën i gjithë Milani në tërësi. Ekziston një projekt i mirë, të gjithë janë të bashkuar. Unë kurrë nuk kam dyshuar që rezultatet do të vinin, plani ishte i qartë. Kuqezinjtë po bëjnë një super kampionat dhe duhet të vazhdojnë të kenë ambicie të mëdha. Pioli po e udhëheq ekipin me seriozitet dhe me ide shumë të mira”, deklaron trajneri i Ukrainës.
“Europa League? Shanset për të kaluar janë të mira, ekipi duket i përulur dhe i përqendruar. Çfarëdo që të ndodhë, duhet ta pranojmë se Milani luajti me kokën lart. Fituan komplimente nga mediat angleze dhe nuk është një rezultat i vogël. Mendoj se e gjithë Europa e pret këtë lojë nga “Djalli” dhe është bukur të shikosh se Milani po rikthehet”, përfundon Shevchenko. /abcnews.al